E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadaja kundër poligamisë mormone

Gjykata kanadeze ka sjellë një vendim këtë të hënë, sipas të cilit ligji shtetëror kundër poligamisë është ende valid, dhe se dëmi që me këtë lloj sjellje iu shkaktohet femrave dhe fëmijëve e tejkalon të drejtën e lirisë së shprehjes fetare, siç garantohet me kushtetutë.

Gjykatësi i Gjykatës Supreme të rejonit perëndimor kanadez British Columbia, Robert Bauman, njoftoi se aktvendimi për ndalimin e praktikimit të kësaj dukurie paraqet një shkelje minimale të të drejtave fetare të Mormonëve fundamentalist, të cilët shpeshherë jetojnë në bashkësi poligamike.

Bauman ka pranuar dëshmi se poligamia po shkakton pasoja të rënda, përfshirë këtu edhe dhunën fizike dhe seksuale, imponimin e fëmijëve për hyrje në martesa të detyruara dhe përjashtimin nga komunitetit mormon të meshkujve të rinj që nuk janë të martuar.

Mbështetja e këtij ligji do të sjellë deri te rritja e numrit të gjykimeve brenda komunitetit të vogël poligamik në Birish Columbia. George Mckintosh, avokati i caktuar për kundërshtimin e ligjit kundër poligamisë, deklaroi se do të ankohet ndaj këtij aktvendimi.

Pritet që rast të përfundojë para Gjykatës Supreme të Kanadasë, meqenëse prokuroria tani po kërkon një qëndrim të artë lidhur me këtë çështje, pasi që një gjykatës tjetër i ka hedhur poshtë akuzat për poligami të ngritura kundër Winston Blackmoore dhe James Oler, në vitin 2009.

Blackmoore dhe Oler janë dy peshkopë rival të një kishe fundamentaliste krishtere në Bountiful, që është një komunitet poligamik me afro 1,000 banorë. Blackmoore është akuzuar se i ka 19 gra, ndërsa Olmer të paktën 3.

Anëtarët e këtij sekti të krishterë e praktikojnë poligaminë brenda martesave që bëhen me marrëveshje, një traditë kjo që ka lidhje me teologjinë e hershme të Kishës Mormone.

E ashtuquajtura ‘Kishë e Jzu Krishtit dhe e të Shenjtëve të Ditës së Fundit’ ka hequr dorë nga poligamia që në vitin 1890, por disa grupe radikale që asokohe ishin ndarë prej saj vazhduan me një praktikë të tillë. Peshkopi Blackmoore ka kohë që pohon se po përndiqet qëllimisht, dhe se po i shkilen të drejtat fetare, por edhe se ai nuk dëshiron të heqë dorë nga praktika e tij e deritanishme.

“Unë sigurisht se nuk do të heq dorë nga feja ime dhe të iki nga ajo”, thotë ai.

“Gjatë 20 viteve të fundit qeveria i provoi të gjitha, për ta shkatërruar mënyrën tonë të jetesës”, shton ai, derisa pyet se përse Gjykata Supreme e Kanadasë i përkrahë klubet e ‘swingerëve’ (ndërrimi i partnerëve martesorë), “duke harruar kështu se në lidhje të tilla dhe pa asnjë detyrim zakonisht hyjnë njerëz të pjekur, dhe me vullnetin e tyre”.

“Lidhjet grupore nuk e mbysin askënd. Gjykatësi nuk ka të drejtë”, përfundon Blackmoore.

vendimi i gjykatës kanadeze është shpallur pas 42 ditëve të paraqitjes së dokumentacionit dhe të agrumeve juridike lidhur me këtë rast bizar, gjatë cilit dy palët përballnin argumentet për të drejtat dhe liritë fetare dhe për ndikimin traumatik që poligamia ka tek femrat dhe fëmijët.

Qeveria e Kanadasë prezantoi dëshmi për dëmin e poligamisë, duke nënvizuar se kjo praktikë rrezikon femrat dhe fëmijët, dhe duke e arsyetuar kështu kufizimin e të drejtave fetare në këtë rast, por edhe të të drejtave për tubim dhe të atyre të shprehjes.

Pas përfundimit të gjykimit, Prokuroria e British Columbia ka prezantuar një listë me emrat e 31 vajzave adoleshente, bashkë me datat e tyre të lindjes dhe me emrat e prindërve dhe kushërinjve që i trafikuan përgjatë gjithë Kanadasë dhe SHBA’ve, me qëllim që t’i martonin për anëtarë të këtij sekti.

Qëndrimet e qeverisë i mbështetën edhe aktivistët e lëvizjeve kundër poligamisë, avokatët për mbrojtjen e të drejtave të femrave dhe fëmijëve dhe shoqatat juridike të krishtera.

Në SHBA opinion publik sivjet e shokoi rasti i “profetit” të komunitetit mormon, Warren Jeffs, i cili u dënua me burgim të përjetshëm, për shkak se ishte pasus i poligamisë dhe për shkak t dhunimit të dy grave të tij “më të reja” - njëra 12-vjeçare e tjetra 14-vjeçare. Warren kishte gjithsejtë 78 gra.

Gjatë gjykimit të Warren, përmes analizave të ADN’it prokuroria arit të dëshmojë se ai ishte babi i fëmijës së një vajze 15-vjeçare. Nuseve të tij, Jeffs u sqaronte se, duke ofruar atij kënaqësi seksuale, ato në fakt po i shërbenin dhe po e glorifikonin edhe vetë Zotin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›