60 mln lekë investim dhe asnjë pikë ujë
Qyteti i Bajram Currit po përballet me një problem tepër jetik kohët e fundit. Ndonëse ujësjellësi i Qukut të Dunishës, me gjatësi 25 kilometra, ka përfunduar prej kohësh, mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në një makth të vërtetë për më shumë se 70 për qind të banorëve të qytetit, pothuajse në të gjitha lagjet e tij.
Kjo ka ndodhur pasi rrjeti i tubacioneve të brendshme të qytetit nuk është konstruktuar dhe për pasojë, në pjesën më të madhe të pallateve uji i pijshëm tashmë nuk vjen fare as në katet e dyta të pallateve të lagjes Partizani, 28 gushti dhe të tjera.
Kurse në disa lagje të tjera, uji i pijshëm vjen me shumicë, madje ka pasur raste edhe të çarjes së tubave në banesa dhe në qytet, duke sjellë probleme për higjienën, pasi janë përzier uji i pijshëm me ujërat e zeza. Një tjetër problematikë që rezulton çoroditëse për banorët është edhe orari i furnizimit me ujë i cili nuk respektohet sikurse është vendosur. Për më tepër, edhe kur vjen, sasia është shumë e pakët e nuk ngjitet në katet e larta të pallateve.
Ndërkaq, në lagjet periferike të qytetit, si te Lloçi i Kolgecajve, ujërat janë përzier duke dalë në sipërfaqe dhe duhet të mbyllësh hundët kur kalon në atë zonë. Kjo ndodh pikërisht në aksin rrugor Bajram Curri-Valbonë, ku nga ujërat e zeza kanë krijuar edhe një situatë të rrezikshme për sa u përket epidemive.
Tubat e çarë të ujit në shumë vende thithin papastërti gjatë ditëve që nuk ka ujë të rrjedhshëm. Kur kontakton me punonjës të ujësjellësit, ata fajësojnë bashkinë, kurse kjo e fundit justifikohet me mungesën e fondeve. Duhet theksuar se projekti i ujësjellësit të Tropojës, uji i të cilit merret nga bjeshkët e Valbonës, në vendin e quajtur Quku i Dunishës, është një investim i qeverisë shqiptare me vlerë mbi 60 milionë lekë.
Por specialistët thonë se ky projekt nuk është realizuar plotësisht, pasi në shumë lagje të qytetit, uji i pijshëm nuk ka forcë të ngjitet në banesa, kjo për mungesë të rikonstruksionit edhe të rrjetit të brendshëm.