E Shtunë, 31 Tetor 2026

60 sekondat tonë

Me një TV reklamë prej 60 sekondave me pamje nga Kosova që do të fillojë të emetohet sonte në rrjetet më të mëdha televizive ndërkombëtare, fillon fushata mediale që ka për qëllim krijimin e një imazhi të ri për Kosovën.

Promovimi i fillimit të kampanjës do të bëhet të hënën në mbrëmje nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi.

Ne këtë eveniment, ku janë ftuar personalitete të ndryshme të Kosovës dhe zyrtarë ndërkombëtarë, për herë të parë do të lëshohet reklama e televizionit, e cila do të emetohet në mediat ndërkombëtare, do të prezantohet logo dhe në përgjithësi do të tregohet fryma e kampanjës.

Reklama e Televizionit do të fillojë të emetohet në 6 kanale të mëdha televizive ndërkombëtare siç janë: CNN, BBC World News, Euronews, CNN Turk, Bloomberg dhe Eurosport. Më vonë reklamat për shtyp do të publikohen në revista me renome ndërkombëtare siç janë: The Economist dhe Newsweek.

Fillimisht, fokusi gjeografik do të jetë në Rajonin Evropian dhe SHBA, kurse më vonë gjatë vitit do të ketë më shumë fokus në disa vende të caktuara. Kampanja së shpejti do të fillojë të transmetohet edhe në mediat kosovare, ka njoftuar Kompania kosovare PR Solutions, e cila është partner vendor në Konsorciumin BBR Saatchi & Saatchi në kampanjën për brending të Kosovës.

Për të promovuar imazhin e ri të Kosovës në botë, Konsorciumi BBR Saatchi & Saatchi ka fituar tenderin në vlerë 5,7 milionë euro. Kampanja do të jetë shumë e gjerë dhe pritet të zgjasë dy vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›