60-vjeçari gjeti vdekjen pasi ra nga pallati/ Vihen në pranga bashkëpronari dhe drejtuesi teknik i firmës së ndërtimit

Policia ka arrestuar 2 persona për ngjarjen e sotme ku humbi jetën 60-vjeçari me inicialet A.P pasi ra aksidentalist nga lartësia e pallatit ku ishte duke punuar.
Sipas policisë, janë vendosur në pranga 70-vjeçari Maksim Hekurani, bashkëpronar i pallatit në Vlorë që po ndërtohej dhe drejtuesi teknik i firmës që po ndërtonte objektin Altin Karalli.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku dyshohet se aksidentalisht ra nga lartësia e pallatit në të cilin ishte duke punuar, shtetasi A. P., 60 vjeç, i cili për pasojë humbi jetën, arrestuan shtetasit:
-M. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, bashkëpronar i pallatit që po ndërtohej, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente;
-A. K., 53 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i firmës që po ndërtonte këtë pallat, banues në Vlorë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/