E Diel, 1 Nëntor 2026

64 vjeçarja: Sheti më preu pensionin, po jetoj me kanaçe

 Njerëz në Udhëkryq

Rubrika Njerëz në Udhëkryq e lançuar që prej disa muajsh në gazetën Tirana Observer, duket se po jep rezultatet e saj të para në lidhje me sensibilizimin e opinionit publik përsa u përket rasteve në nevojë që kemi trajtuar. Komisioneri për Diskriminimin ka telefonuar në redaksinë tonë duke marrë përsipër të ndjekë rastin e 49 vjeçares Luljeta Qerimi historinë e së cilës ne e kemi trajtuar të premten e kaluar. Komisioneri në lidhje telefonike ka deklaruar se do ta marrë në shqyrtim historinë e gruas në nevojë dhe në rastin e saj do të bashkëpunojë me Minibashkinë e zonës ku banon për ti lidhur 49 vjeçares një asistencë sociale. Edhe gjatë kësaj jave ashtu si çdo të premte histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre… dhunën, lotët, dhimbjen, e varfërinë në të cilën këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Historive që ne trajtojmë nuk janë as filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi. Le të shprehim gjithçka negative që ndodh në jetën tonë. Kjo thirrje i drejtohet sidomos çdo gruaje, çdo vajze, çdo nëne që duron dhunën, për vete, apo për fëmijën e saj, mes dhimbjeve dhe kërcënimeve të përditshme nga bashkëshortët apo në shumë raste nga familjarët e tyre, apo individë të panjohur në komunitet. Rrëfeni në rubrikën tonë, që të gjithë bashkë ti vihemi kundër fenomenit të shëmtuar të dhunës, që po na merr frymën ditë pas dite. Por kësaj jave në rubrikën që iu ka shoqëruar çdo fundjavë, do të trajtojmë jetën e vështirë të një tjetër gruaje 64 vjeçare e cila dëshpërimisht jeton duke shitur shishe qelqi dhe aksesorë të tjerë, për të mbajtur frymën gjallë, pasi jeton e vetme me bashkëshortin e saj thuajse e braktisur nga fëmijët. E si të mos mjaftonte varfëria kjo grua sorollatet prej dy vitesh nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore e përkatësisht dega e sigurimeve në kryeqytet e cila i ka ndërprerë pensionin e pleqërisë pa asnjë arsye. Ndaj në lidhje me këtë problem 64 vjeçarja bën apel për zgjidhje të problemit të saj. Shpresojmë që ISSH do ta marrë në konsideratë rastin e 70 vjeçares: Nëse edhe ju keni një histori njerëzore për shkak të dhunës, varfërisë, diskriminimit neglizhencës apo sorollatjeve në institucionet zyrtare, si në rastin në fjalë merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserver@gmail.com.
Ju mirëpresim!

Shteti i ndërpret pensionin 64 vjeçarja ushqehet duke shitur kanaçe

S.Brunga: ISSH më mohon shtesën e pensionit, kërkoj ndihmë!

Sulltane BrungaEdhe pse ajo është 64 vjeçe fati e ka destinuar të vuajë edhe në pleqëri. Me një thes të madh në shpinë aq sa pesha e shisheve të qelqit dhe e kanoçeve të shtypura ja kërrus trupin, atë e sheh gjithmonë duke shpejtuar kudo në rrugët e kryeqytetit edhe pse duke mbajtur në krahë mbi 15 kg peshë. Nëse do tju duhet ta shihni në rrugë të moshuarën Sulltane Brunga gjithkush do të mendojë se diskriminimi ndaj gruas e në këtë rast i kësaj të moshuare është më i dukshëm se kurrë ndonjëherë. Kjo grua mban frymën gjallë duke mbledhur e më pas duke i shitur kanoçet dhe shishet e vjetra, duke udhëtuar çdo ditë në këmbë nga zona e Lundrës deri në qendër të kryeqytetit. Edhe pse është pensioniste ajo rrëfen për gazetën se duhet të punojë çdo ditë për të mbajtur veten dhe bashkëshortin e saj me të ardhura financiare. Përveç problemeve financiare e moshuara rrëfen se Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka rreth 1 vit e gjysmë që i ka ndërprerë shtesën në pension ndaj e moshuara bën apel për zgjidhjen e këtij shqetësimi.

Përse një grua e moshuar si ju mbledh dhe shet kanaçe për të mbijetuar?

Jam Sulltane Brunga 64 vjeçe jam detyruar të përfundoj në rrugë duke mbledhur shishe dhe kanoçe pasi prej më shumë se 1 viti e gjysmë nuk kam asnjë të ardhur financiare, pensioni i pakët që merr plaku nuk del as për ilaçet pasi ai është i paralizuar dhe nuk mundet të lëvizë. Dhe unë merrja pensionin tim por ma ka ndërprerë ISSH dhe që prej asaj kohe jam e detyruar të dal në rrugë për të mbledhur kanoçe e për ti shitur, pasi nuk kam para të tjera me se të jetoj. Dal çdo ditë nga shtëpia që në orët e para të mëngjesit e kthehem në shtëpi vetëm me pak para që i shpenzoj për ushqimet e përditshme. Kam shtatë vjet që dal çdo ditë duke mbledhur kanoçe e materiale të tjera që ti shes e me paratë që fitoj të blej ushqimet dhe të mbaj shtëpinë, pension merrja vetëm 48 mijë lekë të vjetra, por edhe ato para nuk mi jep më Instituti i Sigurimeve.

Cila është historia juaj, a ju ndihmojnë fëmijët me të ardhura?

Jeta ime ka qenë gjithmonë e vështirë, jam rritur në një familje me të ardhura të pakta kam vuajtur gjithë jetën por fati e dashka që të mos marr frymë edhe tani në pleqëri. Kemi ardhur si familje përpara disa vitesh nga Dibra këtu në Tiranë. I kam rritur fëmijët e mi në varfëri dhe me shumë sakrifica. Në katër ditë me shitjen e kanoçeve mund të fitoj vetëm 5-7 mijë lekë, para që nuk i dalin as për të blerë bukë. Jam nëna e tre fëmijëve por jetoj vetëm me plakun në një shtëpi të vjetër në periferi të qytetit, pasi fëmijët janë në emigracion e kanë jetët e tyre. Është njësoj sikur të jem vetëm në këtë botë, ndihem e dërrmuar dhe shpesh edhe e harruar nga fëmijët e mi. Edhe pse jam e detyruar të dal të mbledh shishe dhe kanoçe fëmijëve jua kam fshehur këtë gjë pasi ata do të mërziteshin por nuk kam me se të ushqehem e të kaloj edhe këto pak vite që më kanë mbetur, ndaj kam zgjedhur këtë mënyrë për të mbijetuar.

Çfarë problemi keni me pensionin e pleqërisë?

Prej më shumë se një viti e gjysmë kam probleme me pensionin pasi ISSH ma ka ndërprerë pa asnjë arsye madje për gjithë këtë kohë më ka sorollatur në lidhje me dokumentacionin që e kam dorëzuar në zyrën qendrore të sigurime të Tiranës, sa herë shkoj atje më thonë akoma nuk është shqyrtuar dosja. Jam vërtet e indinjuar për këtë problem pasi jam e vetme dhe pa mbështetje, ndaj edhe punonjëset në zyrën e pensioneve shpesh herë më nënvlerësojnë e prej një viti e gjysmë më sjellin vërdallë. Merrja vetëm 48 mijë lekë të vjetra dhe këtë ma kanë llogaritur në mënyrë të padrejtë por që prej gati dy vitesh spo mundem ti marr dot as ato pak para.

Kush është apeli që i drejtoni institucioneve shtetërore?

I bëj apel Institutit të Sigurimeve që ta marrë në konsideratë problemin tim dhe të më kthejë pensionin tim, është mëkat i madh që ti mohohet pensioni një të moshuare që nuk ka asnjë të ardhur tjetër financiare. I bëj thirrje edhe institucioneve të tjera shtetërore dua vetëm të marr pensionin dhe shtesat e premtuara po kërkoj vetëm paratë që më takojnë me ligj. Ju them punonjësve në drejtorinë rajonale të pensioneve që ta rishohin dosjen time e të mos e harrojnë aty në grumbullin e letrave të tjera. Për të mos folur pastaj për problemin më të madh që kam punuar 14 vjet, dhe marr shumë pak pension.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›