E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 000 të varur

Albina Hoxha

Përtej xhamit zgjaten një e nga një duart e tyre që dridhen, ndërsa në sy u dallon frikë dhe mosbesim. E marrin shpejt metadonin dhe largohen, sepse dikush mund ti shohë. Paragjykimet i vrasin, ndërsa droga ka depërtuar thellë në venat e tyre dhe ata druhen nga të gjithë dhe gjithçka!

Janë 170 vetë në Tiranë, ish-përdorues droge, të cilët çdo ditë i drejtohen qendrës Aksion Plus, që ndodhet pas ambasadës amerikane, për të marrë metadon. Shpresojnë që kjo do ti ndihmojë ti largohen varësisë së krijuar dhe që u ka shkatërruar jetën jo vetëm atyre, por edhe familjarëve. Këta të fundit thonë se vuajnë çdo ditë probleme që mund të shkaktojë një njeri i pavullnetshëm, një njeri që tashmë ka vetëm një arsye për të jetuar: drogën. Prindërit, fëmijët e të cilëve kanë filluar trajtimin me metadon (ilaç që ndihmon në lënien e drogës) në qendrën Aksion Plus, thonë se tashmë çdo gjë ka ndryshuar në jetën e tyre. Në mes dilemave të shumta, përsëri ata kanë besim se fëmijët mund të rifillojnë një jetë të re.

Unë e di dhe e ndiej se djali im është sërish i mirë. Nuk do ta braktis kurrë atë, por do të luftoj që të jetë sërish ai i pari, ku unë ta kem bir dhe shok, njësoj si dikur, shprehet një 44-vjeçar, baba i një adoleshenti.

E di që vëllai im është adoleshent dhe gabimet e moshës mund ti falen, por shpresoj me gjithë zemër që tia dalë…, shprehet motra e madhe e një 15-vjeçari, gjithashtu përdorues.

Por nuk nuk është vetëm kjo! Familjarët nuk kanë para syve vetëm fëmijën e droguar, por edhe një fëmijë të dhunuar nga të gjithë. Duke filluar nga policia e duke përfunduar tek mjekët.

Më ka ardhur djali dhjetëra herë i dëmtuar dhe i masakruar nga të rrahurat e policisë. Madje, në trupin e tij ka shumë shenja që nuk i janë hequr dhe do ti mbajë përjetë, sepse plagët e goditjeve të policëve kanë qenë shumë të rënda, shprehet D.Gj., djali i së cilës është përdorues droge prej tetë vjetësh.

Ndërsa bluzat e bardha, megjithëse kanë një mision human në qendër të të cilit është shpëtimi i jetëve të njerëzve, duket se e kanë harruar thelbin e punës së tyre. Jo rrallëherë ata nuk u japin ndihmën e domosdoshme atyre që trokasin në dyert e spitalit shtetëror. Kjo ndodh kryesisht me personat të cilët e injektojnë drogën me shiringa. Lutjet e familjarëve për të ndihmuar fëmijët e tyre për ta nuk kanë asnjë vlerë.

Isha sëmurë rëndë. Helmimi më kishte shkuar deri në palcë dhe nuk po mbaja dot as veten në këmbë. Ashtu e dërrmuar shkova në spital me motrën time, aty ku ndihmohen të sëmurët. Të gjithë mjekët më kthyen kurrizin sapo panë krahët e mi të nxirë nga shiringat që kisha bërë. Askush nuk më afrohej, edhe pse motra ime u përgjërohej që të më ndihmonin… Ishte e tmerrshme, shprehet një 22-vjeçare, e cila prej 5 vitesh është përdoruese e drogës.

Bëhet e ditur se në Tiranë ndodhen gjysma e përdoruesve të drogës të gjithë vendit. E megjithatë, prej tyre vetëm 170 vetë i drejtohen qendrës Aksion Plus, e cila ka marrë përsipër që të shpërndajë metadonin, aq të nevojshëm për ta në momentin që vendosin që ta ndryshojnë jetën e tyre duke e lënë drogën. E që nëse e ndërpresin mjekimin me të, rikthimi në rrugën e vjetër është i menjëhershëm.

Jashtë kësaj kanë gjithnjë paragjykimet, frikën. Aq e madhe është ajo sa në momentin që janë në rresht para sportelit ku marrin ilaçin e përditshëm, mjafton një aparat fotografik dhe një gazetar për ti bërë të zhduken që aty me frikën se njerëzit do ti njohin.

Nga ana tjetër, nga shteti nuk duket se ka ndonjë sinjalizim për tu dhënë ndihmë, ndërsa nga qendra Aksion Plus thonë se janë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Bashkisë së Tiranës. Deri atëherë, të droguarit dhe familjet e tyre falen përpara sportelit që rri hapur nga ora 8:00-11:00 mbrapa ambasadës amerikane.

Varësia, gjithçka fillon nga hashashi

Punonjësja sociale, Helena Kosta, thotë se problemet kryesore që shtyjnë individët drejt drogës janë shoqëria dhe kurioziteti. Në këtë përfundim kanë arritur punonjësit e qendrës Aksion Plus, e cila aktualisht trajton 170 konsumues të drogës, të cilët janë të të gjitha moshave dhe shtresave të shoqërisë. Bazuar edhe në studime të ndryshme del se adoleshentët i drejtohen drogës, sepse kanë probleme familjare. Nuk gjejnë mbështetje dhe nuk arrijnë të flasin me familjarët e tyre për problemet që i shqetësojnë.

Helena thotë se pasi bien pre e drogës, e kanë shumë të vështirë të largohen prej saj dhe ajo që ua bën edhe më të vështirë jetën, janë paragjykimet. Ndihen të paragjykuar nga familja, shoqëria dhe institucionet. Si rezultat e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë dhe të rindërtojnë jetën e tyre. Në spitale shtetërore nuk marrin mjekimin e nevojshëm dhe ky mjekim jepet në varësi të shtresës shoqërore që i përket secili. Një i varfër është e pamundur të trajtohet ashtu si duhet. Po ti shtosh edhe faktin që është përdorues droge, mjekimi i tij shpeshherë bëhet i pamundur.

15% – 20% është ritmi i suksesit. Pra, ka pacientë që janë të vendosur të fillojnë jetën e tyre larg drogës, të cilët kanë edhe mbështetjen e familjes. Këta ia dalin mbanë.

Po përmend një rast kur një zonjë arriti të largohej plotësisht nga droga dhe tani punon, trajtohet me metadon dhe ndihmon persona të tjerë të shkëputen nga heroina, shprehet punonjësja e qendrës Aksion Plus. Ajo tregon se ka pasur raste kur femra shtatzëna kanë arritur të lindin fëmijët e tyre pa probleme vetëm falë mjekimit me metadon, dhe fëmijët e tyre u japin forcë për tu shkëputur plotësisht nga varësia që kanë.

Është vënë re se në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme të rinjtë konsumojnë cigare hashashi. Në përgjithësi ura nëpërmjet të cilës të rinjtë kalojnë duke u shndërruar në vartës të drogës është hashashi dhe ekstazia, të cilat janë dy droga të lehta. Por më pas ata kalojnë tek heroina, e cila është drogë e fortë, ka varësi fizike dhe psikologjike. Helena tregon se numri i përdoruesve të drogës është në rritje.

Pasi shkëputen nga droga falë mjekimit me metadon, disa pacientë e kanë të vështirë ti rezistojnë tundimit për ta provuar sërish drogën. Ka raste që rikthehen në qendër dhe fillojnë trajtimin me metadon, por ka edhe raste që rikthehen vetëm për tu këshilluar, marrin informacione se si mund ti rezistojnë tundimit për të mos konsumuar më drogë.

7 000 vetë të varur nga droga

Përqendrimi më i madh i konsumuesve të drogës është në kryeqytet. Aksion Plus ofron shërbim ditor falas me metadon. Kjo qendër ka degët e saj në pesë qytete kryesore dhe synon zgjerimin e saj.

Sipas drejtorit të qendrës Aksion Plus, Genci Muçollari, numri i përdoruesve të drogës të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe për trajtime mjekësore ka arritur në 7 mijë. Nënkupton që kjo shifër është për ata që kanë krijuar tashmë varësi nga droga. Por nga ana tjetër, shifrat tregojnë se nëse në Tiranë janë rreth 40 000 përdorues, në gjithë vendin shkojnë rreth 80 000.

Në qendrën tonë ofrohen shërbime në tre nivele: niveli i parë është ai parandalues që realizohet nëpërmjet fushatave sensibilizuese,

niveli i dytë ofron shërbimin e zvogëlimit të dëmit për përdoruesit aktiv. Kjo realizohet nëpërmjet shpërndarjeve të shiringave të pastra dhe prezervativëve për tu mbrojtuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme,

ndërsa niveli i tretë është shpërndarja e metadonit për ata që janë të varur nga droga.

Kohët e fundit kemi një rritje të numrit të përdoruesve të drogës nga komuniteti rom, komunitet ky që përveç drogës, është i prekur nga papunësia, varfëria e thellë dhe kanë akses të dobët në shërbimet shëndetëso

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›