E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mozaiku jo shumë i njohur i Tiranës

Xhek Preçetaj

Janë të paktë ata që e njohin Mozaikun e Tiranës dhe për më tepër ata që e njohin historinë e saj. Një objekt disi misterioz edhe për ata që banojnë në kryeqytet. Mozaiku i Tiranës arrin të na sjellë në ditët e sotme një histori tepër të veçantë të kryeqytetit tonë. Për të gjithë ata që mendonin se Tirana do të kishte një moshë 600-vjeçare, janë gabuar. Kjo pasi vetë Mozaiku, i cili njihet ndryshe si Vila Rustica, daton në shekullin e parë të erës sonë dhe si kisha paleokristiane e shekullit të katërt të erës sonë. Tashmë Tirana është 2000-vjeçare.

Vizitorët

Vitet e fundit Mozaiku është përfshirë nëpër guidat e turistëve të huaj. Turistët e huaj tashmë, në listën e objekteve të cilat duhet të shohin në kryeqytetin e Shqipërisë, kanë edhe Mozaikun e Tiranës. Megjithatë Mozaiku duhet të përfshihet edhe në një promovim për vendasit. Kjo pasi shumë kryeqytetas nuk e njohin objektin. Një nga nismat e drejtuesve të këtij Mozaiku dhe Ministrisë së Arsimit është futja e tij në programin e shkollave fillore dhe të mesme. Nxënësit e shkollave tashmë kanë në programin e tyre një ditë të caktuar për të vizituar këtë vepër me rëndësi historike dhe kulturore për kryeqytetin. Numri i vizitorëve është rritur vitet e fundit e megjithatë ende shumë i paktë. Në vitin 2009 llogariten 2876 vizitorë nga ku 435 të huaj dhe 2451 vendas. Në vitin 2010 ka pasur një rritje, nga ku totali i vizitorëve ishte 4379, 739 vizitorë të huaj dhe 3637 vizitorë vendas. Ndërkohë, maksimumin e saj mozaiku e ka kapur vitin që lamë pas, ku numërohen në total 6947 vizitorë, nga ku 6058 janë vendas dhe 889 janë vizitorë të huaj.

Historia e Mozaikut

Përgjatë disa punimeve të bëra në vitin 1972 në një godinë banimi në bllokun Partizani, në Tiranë u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike me ambiente të shtruara me mozaik. Punimet për godinën e ndalën dhe filluan ato për nxierrjen në drritë të asaj që sot njihet me emrin Mozaiku i Tiranës. Gjatë punimeve të para, përveç dyshemeve me mozaik, dolën pjesë muresh, fragmente tullash, pjesë enësh qeramike, tjegulla e tulla të cilat e datuan fillimet e vendbanimit në shekullin e parë pas Krishtit, e cila mendohet të ketë qënë banesë e tipit rural (vila rustica). Në shekullin e tretë vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor. Përgjat gjysmës së dytë të shekullit të katërt, vila u kthye në një objekt kulti. Kthimi në një kishë të besimit katolik u bë si rrjedhojë e ngjarjeve të kohës, ku Perandori Kostandini i Parë, bëri të njohur lirinë e besimit kristian dhe hoqi fenë pagane nga të qënit besim zyrtar shtetëror.

Ambienti A

Në këtë ambient ruhet vetëm një pjesë e vogël e mozaikut (pjesa verilindore) e cila ka përmasa 1.75 me 1.59 metra. Teserat kanë dimensione më të mëdha se në dy ambientet e tjera. Përmasat e tyre variojnë nga 3-3.5cm. Vizatimi mund të thuhet se paraqet motive floreale të realizuara me tesera të bardha (mermer dhe gur gëlqeror), të gjitha këto të vendosura në një sfond teserash të kuqe (terrakote). Në të njëjtën kohë motivi të krijon edhe pershtypjen e rrathëve që priten.

Ambienti B

Në mozaikun e ambientit B mbizotrojnë gjithashtu motivet gjeometrike. Motivet kryesore që bien në sy në vizatim është gersheti i stilizuar i përbërë nga dy rreshta teserash të bardha, dy të kuqe dhe një rresht teserash të zeza të cilat ndërthuren dhe të vendosura në një sfond të zi dhe të kufizuara në të dy anët me tre rreshta teserash të bardha. Bie në sy një vizatim tjetër në formë rrethi me një diametër prej 93cm i realizuar në formë spirale me tesera të kuqe dhe të bardha. Motivi i gërshetit të stilizuar dhe spirales përsëritet dhe në pjesën qendrore të ambientit. Në pjesën veri perëndimore, në vizatim dallohet pjesa e një kuadrati të formuar nga dy rreshta teserash të zeza, në brendësi një tjetër kuadrat me tre radhë teserash të bardha dhe vazhdon me dy rreshta teserash të zeza. Këtij të fundit brenda i shkruhet një rreth i formuar nga dy radhë teserash të zeza. Hapësira brenda rrethit është e mbushur me trekëndësha të zinj të vendosura ne një sfond të bardhë. Trekëndëshat vinë duke u zvogluar në drejtim të qendrës. Në këndin e formuar nga katrori i fundit dhe rrethi bien në sy motive (kantare) të formuar nga tesera të zeza, të bardha si dhe me tesera të kuqe dhe jeshile prej brum qelqi.

Ambienti C

Mozaiku që ruhet në ambientin C ka si vizatim qendror një kornizë me përmasa 1.15m me 67 cm, të formuar nga tre rreshta teserash të zeza dhe dy të kuqe. Vizatimi qëndror është figura e një peshku, i realizuar me tesera të zeza dhe ngjyrë vjollcë, figurë e vendosur në një sfond të bardhë (teserat e bardha janë më të vogla se në mozaikët e tjerë). Mbi këtë kornizë kemi motive spirale në tesera vjollcë në sfond të bardhë dhe më sipër akoma e kundërta e këtij motivi. Në këtë pjesë vlen të theksohet edhe prania e një motivi të vogel në formën e kryqit i cili ngrihet mbi tërë këtë vizatim, i realizuara me tesera të bardha në një sfond ngjyrë vjollcë. Vizatim tjetër dominues në moazikun e këtij ambienti është motivi i gërshetave të realizuar në tesera të bardha, gri dhe vjollcë të cilët ndërthuren bukur me njeri-tjetrin. Motivi kufizohet nga një kornizë e gjatë të realizuar me katër rreshta teserash të bardha dhe një rresht teserash të zeza.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›