E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 Marsi festohet dy ditë më herët

Dita e mësuesit është kremtuar në të gjitha shkollat e vendit

Festa e 7 marsit të shkollës së parë shqipe, ose siç njihet ndryshe si festa e mësuesit, këtë vit ka ardhur dy ditë më herët. Nxënësit e shkollave kanë nxituar që të urojnë mësuesit e tyre për festën, diku me lule apo dhurata e diku tjetër me zarfe të bardhë mbushur me monedha shumëngjyrëshe.
Megjithatë, në shkollat e mesme kryeqytetase duket se nxënësit janë treguar më të ftohtë ndaj kësaj feste. Jo të gjithë janë angazhuar për t’u “kujtuar” mësuesve festën. Shumë prej tyre pohojnë se kjo ditë i ka lënë indiferentë dhe thjesht u janë gëzuar orëve të reduktuara të mësimit.

Ata që duket se e kanë përjetuar më shumë ditën e mësuesit kanë qenë më të miturit. Në shkollat fillore dita e djeshme, ndonëse në kalendar shënonte 5 mars, ka qenë një festë e vërtetë. Ata që prej ditësh kishin nisur përgatitjet e festës, si për organizimin e saj, ashtu edhe për buqetat e luleve për mësueset, apo dhuratat e veçanta.

Nga ana tjetër, protagonistët e vërtetë të kësaj feste në “paradhënie” kanë qenë mësuesit. Një pjesë e tyre, sidomos në shkollat e mesme, nuk kanë munguar që të ankohen për mospërfilljen e “këtij brezi që po harron traditën”, ashtu sikundër ka pasur edhe të tjera që nuk kanë përtuar t’u mburren kolegëve me kujdesin e treguar nga nxënësit për to.

E premtja e djeshme u shndërrua në ditë feste, duke “ia vjedhur” këtë gëzim festës së vërtetë në ditën e 7 marsit, për shkak të kalendarit shkollor. Një e diel feste dhe pushimi së bashku do të shoqërojnë për këtë vit arsimtarët shqiptarë, të cilët jo në pak raste vihen në qendër të akuzave se nuk po e kryejnë siç duhet punën e tyre duke rritur një brez të arsimuar përgjysmë ose asfare. Por në ditën e shënuar të çeljes së shkollës së parë shqipe nuk mund të mos mungojë nderimi për të gjithë ata kontribuues të mendjeve të arta dhe të hapura që ia kanë përkushtuar jetën dhe dijet e tyre ndriçimit të të tjerëve.

Të shumta kanë qenë edhe aktivitetet e zhvilluara ditën e djeshme, ku nuk ka munguar as prezenca e politikanëve. Madje as lapsuset e tyre. I tillë ishte edhe ai i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndonëse ka qenë në krye të Parlamentit në kohën kur sistemi 8-vjeçar është bërë 9-vjeçar, sërish ka gabuar. Në takimin me mësues e profesorë të pjesëtarëve të Kuvendit, në fjalën e saj përshëndetëse për të nderuar punën e këtyre mësuesve, Topalli mes të tjerash ka falënderuar edhe mësuesit e shkollave 8-vjeçare.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›