E Diel, 1 Nëntor 2026

Struktura e re për ndërtimet pa leje, mbërrin ligji në Kuvend

Shtohen kompetencat e Kryeministrit. Rastet kur ndërhyhet

Pritet të diskutohet javën që vjen projektligji shumë i debatueshëm për sa u takon kompetencave për prishjen e ndërtimeve pa leje. Drafti i miratuar dy javë më parë nga qeveria ka mbërritur në Kuvend, ndërsa komisionet e posaçme parlamentare janë gati të nisin diskutimet për miratimin e tij. Bëhet fjalë për projektligjin e ndryshuar, “Për planifikimin e territorit”, i miratuar si ligj në prill 2009, por gjatë zbatimit të tij janë vërejtur një sërë problemesh. Thelbi i projektligjit është krijimi i një strukture të re, në varësi të Kryeministrit, e cila do të ndërhyjë në rastet e konstatimit të shkeljes së ligjit urbanistik apo të pamundësisë së njësisë vendore për të prishur një ndërtim pa leje. Struktura e re quhet Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) dhe është autoriteti përgjegjës, që ka kompetencë ekskluzive në shqyrtimin përfundimtar të planeve zhvillimore (rregulluese/të planifikimit) të bashkive të kategorisë së parë, në territorin e vendit dhe miratimin e tyre. KKT-ja do të miratojë kërkesat për zhvillim dhe lejet e ndërtimit në zona kombëtare, toka shtetërore dhe oborret e institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve dhe kopshteve e çerdheve, që deri dje ishin kompetencë e bashkive dhe komunave.

Konflikti

Projektligji pritet të shkaktojë debate mes grupeve të interesit dhe institucioneve që kanë të bëjnë me zbatimin e tij. Të parët që do të reagojnë janë bashkitë, të cilave u janë vendosur disa kushte sa u takon planeve urbanistike dhe ndërtimeve pa leje. KKT-ja do ta ushtrojë, përjashtimisht, këtë përgjegjësi dhe në territore administrative të tjera, ku parashikohet zhvillimi i porteve të hapura ndërkombëtare, i centraleve energjetike, digave dhe dambave të larta, si dhe ndërtimeve të tjera me interesa strategjike për vendin. Në projektligj përcaktohet se bashkitë e kategorisë së parë janë Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Pogradeci, Korça, Lezha, Lushnja, Kukësi, Peshkopia, Laçi dhe Kavaja.

Në fund të pikës 8, të nenit 74, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Në rastet kur zhvillimi është projektuar në zona kombëtare, në toka shtetërore dhe në oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, zonave universitare, spitaleve, kopshteve dhe çerdheve, kërkesa për zhvillim i përcillet për miratim KKT-së”. Po ashtu, në fund të pikës 2, të nenit 77, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Lejet e ndërtimit në zona kombëtare, në toka shtetërore e në oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve, të kopshteve e të çerdheve miratohen nga KKT-ja”.

Argumentet e ndryshimit

Ky lloj rregullimi paraqitet i domosdoshëm, pasi asnjë autoritet vendor nuk mund të planifikojë dhe të lejojë leje zhvillimore në zona apo territore për të cilat nuk ka përgjegjësi administrimi. “Ky lloj rregullimi synon të japë zgjidhje dhe të mos lejojë nënçmimin e autoriteteve vendore ndaj një fenomeni gangrenë të viteve të tranzicionit, ku brenda këtyre territoreve gjenden objekte të ligjshme, për të cilat nga ana ligjore mbetet vetëm të nisin procedurat e shpronësimit sipas ligjeve në fuqi”, shpjegon Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Shembuj janë një ish-motel pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë, apo bilardo dhe parkingje private në oborret e shkollave 8-vjeçare në Tiranë. Në lidhje me faktin e shqyrtimit të lejeve për shtesat në territoret e çerdheve dhe kopshteve, ministria thotë se është e vërtetë se këto prona do t’i transferohen në vitet në vijim pushtetit vendor, por në çdo kohë transferimi i këtyre aseteve është i kufizuar dhe i përgjigjet nevojës së komuniteteve të caktuara për këto shërbime të domosdoshme sociale apo arsimore. “Në këtë kuptim, asnjë komunitet vendor nuk mund të disponojë leje zhvillimore për shtesat në këto territore në një kuptim të ndryshëm. Këto asete janë planifikuar dhe zbatuar duke pasur në vëmendje të gjithë infrastrukturën e dobishme për destinacionin e tyre, sheshe të lira për nxënës apo mjedise të gjelbra.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›