7 shtëpi për veteranët e luftës në Skenderaj

Gjatë vitit 2012 është shtuar përkujdesja për veteranët e luftës së UÇK-së, pasi disa nga ta kanë përfituar në forma të ndryshme, duke filluar nga strehimi, punësimi, shkollimi, përkujdesja shëndetësore etj.
Kështu u tha në mbledhjen e Kryesisë se Degës së OVL të UÇK në Skenderaj të ënjten.
“Shtatë veteranëve të UÇK-së u janë ndërtuar shtëpi banimi, pesë fëmijë të luftëtarëve e veteranëve janë punësuar, kurse 111 fëmijë të veteranëve janë regjistruar në UP “Hasan Prishtina”, tha Hisni Gucati, kryetar i degës.
Sipas raportit, prej 7 shtëpive të ndërtuara, 5 janë financuar nga donatorët, kurse 2 nga Komuna e Skenderajt, ndërkohë qe përmes organizatës, 55 veteranë janë dërguar për pushimi në bregdet, ndërsa 8 tjerë për rehabilitim në banja, transmeton koha.
Gucati përmendi edhe kontributin e Rifat Jasharit, i cili ka dhuruara 2 mijë kilogramë miell, dhe Avdullah Lushtakut, që ka dhuruar 1 mijë kilogramë miell, sasi kjo që iu është shpërndarë familjeve të veteranëve me gjendje të rëndë materiale, kurse Komuna i ka ndihmuar shoqatat me 1 mijë euro.
Në mbledhje u dënua vjedhja e Memorialit Përkujtimor të UÇK-së në Marinë, me ç’rast janë vjedhur rreth 100 metra rrethoja, si dhe janë dëmtuar pllakat e mermerta, si dhe u kërkua që kryesit e kësaj vepre të shëmtuar të dënohen./Indeksonline/