Këshilli i Pushtetit

Zyrtarët më të lartë të Komunës së Prizrenit, kanë arrit të marrin vota më së shumti për Këshill drejtues në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së në Prizren.Prej 209 kandidatëve të propozuar, Kuvendi Zgjedhor i PDK-së në Prizren, javën e kaluar për Këshill drejtues, ka zgjedhur 71 prej tyre.
Në njëzetëshin e parë të Këshillit drejtues të PDK-së në Prizren, janë kryesisht zyrtarë të lartë, të cilët mbajnë poste të rëndësishme në qeverinë lokale të Prizrenit.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja nga Kuvendi Zgjedhor ka marrë 223 vota, dhe në listën radhitet i dyti pas Nait Hasanit. Drejtori Administratës, Minir Krasniq, ka marrë 205 vota, ndërkaq Drejtori i Shërbimeve Publike, Hasan Hasani, ka arritur të fitojë 157 vota, duke u radhitur këshu i treti në listë të Këshillit drejtues të PDK-së në Prizren, raporton prizrenipress.
Kryesuesi i Asamblesë dhe kandidati për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu, në këtë kuvend ka marrë 153 vota, kurse koordinatori i Sektorit të Rinisë, Kujtim Gashi, ka fituar 164 vota duke u radhitur në pozitën e 6-të në listën e Këshillit drejtues të PDK-së në Prizren.
Përveç zyrtarëve më të lartë të Komunës së Prizrenit, nga Kuvendi Zgjedhor i PDK-së nuk kanë kaluar keq as këshilltarët e Asamblesë Komunale. Këshilltari i PDK-së, Afrim Avdaj ka marrë 200 vota, Shukri Çuni, me 187 vota, Hajrim Çengaj,144 vota. Lista e njëzet anëtarëve të Këshillit drejtues të PDK-së në Prizren, përmbyllet me djalin e kryetarit të Prizrenit, Genc Ramadan Muja.
Kandidati për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, Nait Hasani, në garën zgjedhore për Këshill drejtues, ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 257 vota,apo 34 vota më tepër se Ramadan Muja. Agim Zogaj i cili pat shprehur dëshirën të marrë “timonin” e Degës së PDK-së në Prizren,ndërkaq nuk ka arritur të fitojë më shumë se 84 vota.
Në listën e 71 anëtarëve të Këshillit drejtues të PDK-së në Prizren, dominojnë emrat nga zona e Vërrinit,Përdrinisë dhe Hasit,ndërsa numri i anëtarëve të Këshillit nga vetë qyteti i Prizrenit është mjaft vogël. Në këtë Këshill nuk kanë arrit të hyjnë më shumë se 5 anëtar nga gjinia femërore.
“Lufta” për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, ende po vazhdon. Sipas burimeve të TV Prizrenit, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dëshiron që me aklamacion të zgjedh kryetar të Degës në Prizren , Ramadan Mujën./Indeksonline/