E Shtunë, 31 Tetor 2026

70 milionë për lobim?

Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 10:17

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është cituar nga mediat në Bregun e Fildishtë të ketë thënë se ka shpenzuar një shumë prej 70 milionë dollarësh në kuadër të veprimtarisë së tij për sjelljen e njohjeve për shtetin e Kosovës.

Këtë deklarim, siç raporton një nga mediat e Bregut të Fildishtë, Pacolli e ka bërë në një takim që ka pasur me Ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti, Jean-Marie Kacou Gervais.

Agjencia e Lajmeve “Connection Ivoirienne”, në një artikull të botuar para disa ditësh, kushtuar vizitës së Pacollit në Bregun e Fildishtë, shkruan se miliarderi me shtetësi të dyfishtë kosovare-zvicerane, magnati i kompanisë “Mabetex”, Behgjet Pacolli, i cili ka qenë në inaugurimin e Presidentit Alassane Ouattara, gjatë 48 orëve ka pasur dy takime të nivelit të lartë me autoritetet e reja të Bregut të Fildishtë.

Më pas, siç raporton ky medium, pronari i kompanisë shumëkombëshe zvicerane “Mabtex”, në Abixhan ka takuar Ministrin e Jashtëm të Bregut të Fildishtë, Jean-Marie Kacou Gervais, në kuadër të përpjekjeve të tij për njohjen e Kosovës nga Bregu i Fildishtë.
“Gjatë këtij takimi, Pacolli ka treguar se personalisht ka shpenzuar një shumë prej 70 milionë dollarësh në kuadër të veprimtarisë për njohjen ndërkombëtare të vendit të tij të origjinës”, shkruan në artikullin e “Connection Ivoirienne”.

Pas Ministrit të Jashtëm, kjo agjenci shkruan se, Pacolli është pritur nga Ministri i Brendshëm, Hamed Bakayoko.

Të hënën, këshilltari i Pacollit, Arbër Geci e ka mohuar kategorikisht se shefi i tij ka deklaruar në Bregune Fildishtë se ka shpenzuar 70 milionë dollar për njohjet e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›