70 policë dhe 5 dronë aksion në fshatrat e Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Pukës, asgjësohen 11 609 bimë kanabis

Policia e Shkodrës ka asgjësuar 11609 bimë kanabis në fshatrat e Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Pukës. 70 punonjës policie janë angazhuar në operacionin e koduar “Alpe të pastra”, ndërsa u përdorën 5 dronë për kontrollin e territorit malor të fshatrave, në sajë të të cilëve u bë i mundur konstatimi i bimës narkotike.
Policia ka vënë në pranga autorin e kultivimit të 120 bimëve të gjetura në një fshat të Pukës, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të cilër kanë kultivuar bimët në fshatrat e tjera.
“Shërbimet e Policisë të DVP Shkodër dhe të Komisariateve të Policisë Shkodër, Vau i Dejës dhe Pukë, si rezultat i kontrollit të territorit, duke përdorur dhe dronë, kanë finalizuar fazën e dhjetë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në përfundim të së cilës u asgjësuan në total 11609 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, prej të cilave: 11250 bimë në Pult, Shosh dhe Shalë, Shkodër; 239 bimë në fshatrat Arrë dhe Temal, Vau i Dejës dhe 120 bimë në fshatin Kabash, Pukë.
Bazuar në inteligjencen policore dhe veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit R. F., 59 vjeç, banues në fshatin Kabash, Pukë, autor i dyshuar i kultivimit të 120 bimëve narkotike të gjetura në fshatin Kabash, Pukë”, thuhet në njoftim.
Gjatë fazave të mëparshme të këtij operacionit, janë asgjësuar në total 46 575 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, janë vënë në pranga 3 autorë të dyshuar dhe janë shpallur në kërkim 9 të tjerë.
/rtsh.al/