Kampioni i botës në WBC International/ Flet ekskluzivisht “Në Radio” Ermal Hadribeaj, “snajperi”shqiptar që fitoi kundër kongolezit

Kampioni i botës në WBC International, Ermal Hadribeaj, shënoi mbrëmë fitoren e tij të 16-të. Boksieri profesionist, i konsideruar si snajperi shqiptar në Amerikë, në intervistën e parë pas kësaj fitoreje për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, tregon për ndeshjen me kundërshtarin e tij kongolez. “Ndeshja shkoi me dhjetë raunde nga tre minuta secila. Për 40 minuta isha duke u ndeshur fuqishëm. E kisha studiuar stilin e tij. Ishte shumë më i fortë se ç’e prisja. Unë ia prisha lojën dhe ndodhi siç e kisha parashikuar.”
Kjo ishte ndeshja e parë në boks e Hadribeajt në Tiranë pas pesë vitesh. “Kishte shumë tifozë dhe familjarë të mi të cilët ishin shumë të entuziazmuar se ishte hera e parë që më shihnin. E shihja gëzimin në sytë e tyre. Tezet dhe dajat i thoshin mamit nuk ke frikë për djalin. Mami është e fortë sepse është mësuar. Kam bërë plot 40 ndeshje dhe kanë dalë me sukses dhe pa dëmtime. Në fillim, si çdo nënë, kishte merak. E ndieja që kishte frikë dhe nuk e merrja me vete të më shihte live. Ka krijuar një farë besimi se e sheh që punoj fort. Më thotë: ‘Ki kujdes. Vetëm mos u vrit, ruaj fytyrën!’”
Ermali që fëmijë ka qenë dashamirës i sportit. “Kam provuar sporte të ndryshme: futboll, basketboll, karate, gjimnastikë. I adhuroj të gjitha sportet. Ishte një rastësi që kalova nga artet marciale te boksi.”
Gjithçka mori tjetër kthesë kur shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Shkova për një javë pushime në Majami dhe nuk u ktheva më. Më pëlqeu natyra, koha e bukur, plazhi, njerëzit që stërviteshin jashtë. Rashë në dashuri me atë vend. Atje nuk pata njeri ose trajner që të më orientonte diku në artet marciale. Kështu që përfundova në një palestër boksi referuar nga një shqiptar që jetonte aty, të cilin e njoha rastësisht. Një shok i tij ishte trajner. Sot është ai trajneri im. Ai besoi tek unë. Tha disa fjalë që më mbetën në mendje: ‘Ky është një talent, është një diamant. Vetëm në qoftë se ai vërtet do që të vazhdojë të stërvitet atë diamant do ta përpunojmë që të dalë më i bukur.’ I besova instinktit dhe vizionit që ai kishte.”
Që nga ai moment kanë kaluar pesë vite. 29-vjeçari i është dedikuar plotësisht boksit. “U fokusova shumë sepse pashë që ky sport nuk ishte një shaka, në qoftë se nuk bëhesh i mirë në këtë sport, mund të vritesh. Kjo ndjesi më bëri të punoj fort, të fokusohesha 100 për qind. Nuk e doja vetëm për hobi por doja të bëhesha një kampion i madh edhe pse në fillim isha me zero eksperiencë në boks.”
Hadribeaj tregon se cilat janë vështirësitë e këtij sporti. “Pjesa më e vështirë është menaxhimi, kontaktet, rekordi që ti duhet të bësh, të jesh aktiv. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, të përditshme dhe kemi pasur një plan që ne të arrijmë të marrim vëmendjen e promovuesve të mëdhenj të boksit që të bëjmë ndeshje në arenat më të mëdha në Las Vegas ose New York, ku është bota e boksit. Po kështu stërvitje e përditshme. Pesë orë në ditë.”
Ermali kujton dhe një moment sfidues në ring. “Ka qenë një moment kur unë dy ditë para ndeshjes bëra një këputje muskuli. Në ditën e ndeshjes nuk mund të jepja goditje me dorën e majtë që është dora ime kryesore dhe ajo ndeshje doli me sukses. Jam i qetë, i shoh qartë gjërat dhe i menaxhoj. Kjo më sjell sukses.”
Edhe pse jeton në SHBA, Ermali shprehet se gjithmonë do të përfaqësojë Shqipërinë. “Kam pesë vjet që kam ikur dhe kam nostalgji për vendin tim. Atje është puna me nivele shumë të larta dhe synimi im është që të shkoj në rangje botërore. Synoj për shumë lart.”
Në karrierën e tij numëron 16 fitore dhe asnjë humbje. “Duhet të jesh i pamposhtur. Këto fitore të motivojnë, të japin eksperiencën e duhur, të japin besimin që të jesh 100 për qind i saktë, potencialin e duhur për të fituar titullin. Synimi i vetëm është të bëhem kampion bote. Që të bëhesh, duhet të kalosh këto hapa që po bëj tani. Jam në rrugën e duhur. Nuk është më një ëndërr. Kjo po ndodh!”
/rtsh.al/