E Shtunë, 31 Tetor 2026

70 vjeçari do të përpiqet ta notojë La Manchen

Pensionisti 70 vjeçar Roger Allsopp, u nis sot në përpjekjen për të thyer rekordin botëror,kalimin në not të kanalit La Manche. Nëse arrin, do të jetë njeriu më i vjetër që ka arritur një gjë të tillë, njoftojnë mediat angleze.

70 vjeçari u nis nga plazhi i Shakespearit në Dover, në orën 8:00 - sipas kohës lokale - në drejtim të Cap Gris-Nez, në veri të bregut francez, 34 kilometra larg bregdetit anglez. Pensionisti, i cili më herët ishte operuar pas diagnostifikimit me kancer, u nis në thyerjen e rekordit me përcjelljen e anijeve, të cilat do t'i ndihmojnë të notojë në njërën prej rrugëve më të ngarkuara detare.

“Pensioni është gjë e mrekullueshme, por e di sa është me rëndësi të mbash formë të mirë fizike për të jetuar i shëndetshëm në pension. Për këtë arsye ia kam vënë vetes këtë sprovë”, -ka thënë Allsopp.

Tash për tash, rekordin e mban piloti në pension George Brunstad, daja i aktorit të Hollywoodit, Mat Damon. Brunstad notoi kanalin në gusht të vitit 2004, kur ishte 70 vjeç e katër ditë. Allsopp është katër muaj më i vjetër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›