71-shi i Fatos Nanos
Ardit Rada
Ka pasur shumë momente gjatë qeverisjes së Berishës, kur është dashur një shumicë e thjeshtë votash në Kuvend për të rrëzuar apo miratuar ligje të mbrapshta në kurriz të qytetarëve dhe interesave kombëtare. Këtu nuk është rasti për të listuar një mijë e një të zezat e qeverisë, por për të interpretuar një deklaratë të ditës ku një fantazmë e pashpresë, po i sillet politikës rreth e qark. Ish-kryeministri Fatos Nano, pas kërcënimeve të tij ndaj Partisë Socialiste se do ta përçante, u ul me këmbë në tokë dhe këtë radhë duke ofruar garanci se ai mund ti sigurojë 71 votat e duhura për tu zgjedhur si president.
Nëse Nano, ky i socialist i vetëpërjashtuar dhe kandidat i vetëshpallur e paska mundësinë për të siguruar këtë shumicë, pse nuk e bëri më parë për të ndalur pikërisht ato vendimet e Kuvendit që bënë gjithë këtë lesh e li ndër shqiptarë? Që Fatos Nano mund të blejë mandate për ti bashkuar ato me opozitën dhe të bëjë kështu 71 vota, këtë se besoj. Por që Nano është i gatshëm të shitet, këtë e ka treguar me pesë deputetët e tij në vitin 2007 të cilët bënë shumicën për zgjedhjen e Bamir Topit dhe kjo është përtej fakteve historike.