E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson: Ja pse u bëra konservator

06-06-2012 / Gazeta 55

Një intervistë e pazakontë që e përditshmja më e njohur në botë, Nju Jork Tajms, ka zhvilluar me kryetarin e sapomandatuar për një mandat të dytë në bashkinë e Londrës, Boris Xhonson

Ndërsa po lexoja librin tuaj "Jeta e Johnson në Londër", në të cilin ju i bëni lexuesit një guidë nëpër qytet, duke diskutuar mbi historitë më të njohura londineze, mendova me vete; të jesh kryetar bashkie i Londrës nuk duhet të jetë kaq e vështirë dhe impenjuese,  përderisa ju gjeni kohën për të shkruar një libër kaq të mirë
-Puna e kryetarit të Londrës është mjaft e vështirë dhe impenjuese, sidomos në prag të Lojërave Olimpike. Kjo gjë ka ndodhur vetëm se unë shkruaj shpejt dhe e bëj gjithmonë këtë. Disa njerëz luajnë në piano, disa bëjnë “Sudoku”, disa shikojnë televizor, disa njerëz dalin. Unë shkruaj libra.

Veçanërisht më pëlqeu kapitulli që fliste për preferencën tuaj për Keith Richards përkundrejt Mick Jagger. Ju e përshkruani Keith si një reklamë virtuale "për veçoritë e shëndetshme të heroinës dhe kokainës së pastër"
-Ngutem të them se nuk është diçka mbi të cilën mund bëj ndonjë koment personal. Por ndjehem në siklet për këtë tani, pasi sapo kam marrë vlerësimin më të lartë në karrierën time, që ishte një e-mail nga Sir Mick, ku më përgëzonte për rizgjedhjen time. Asnjëherë në jetën time nuk kam menduar se do të përgëzohesha nga Mick Jagger, çfarëdo lloj gjëje të bëja.
Më duhet të them se në këtë kapitull nuk është se jeni treguar veçanërisht i sjellshëm me Mick
-Mendoj se është shumë e rëndësishme, që ne të mos i kushtojmë kaq shumë vëmendje kësaj pike.
Qëndrojmë po në këtë kapitull, me të vërtetë u referoheni “Shqiponjave” si një “grup i madh amerikan"?
-Nga të gjitha mendimet e shprehura në kohën time, të  hedhura poshtë keqas, më besoni, ky po bëhet më shumë nga të gjitha subjekt  talljesh dhe përbuzjesh.
A ju kujtohet momenti kur kuptuat se ishit një Konservator?
-Kur isha një reporter 22 - apo 23-vjeçar në një vend të quajtur Wolverhampton. Më sosi durimi me ata që ishin përgjegjës për përmirësimin e ventilimit të shtëpive të njerëzve, kur pashë sesi shtohej  lagështia dhe myku në shtëpitë e tyre. Ndjeva që njerëzit po bëheshin të varur nga sistemi dhe se politikanët vendorë laburistë nuk kishte asnjë interes ta ndreqnin këtë gjë, ata ishin të kënaqur të korrnin votat e këtyre njerëzve, pa përmirësuar jetën e tyre.
Uau. Jeni formuar politikisht nëpërmjet mykut!
-Ishin poret e lagura dhe formimi i mykut në mure, në Wolverhampton.
Në pritje të Lojërave Olimpike këtë verë, në Londër mund të instalohet një "sistem raketor i shpejtësisë së lartë" në krye të disa banesave sociale. Kjo tingëllon absurde për mua
-E pra, mos harroni se shumë nga masat kanë qenë subjekt i negocimeve me autoritetet e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit dhe ekipi olimpik amerikan kërkojnë një nivel shumë të lartë sigurie dhe ne jemi të vendosur që të ketë një Olimpiadë shumë të sigurt.
Në të dyja zgjedhjet tuaja kundër Ken Livingstone, unë kam qenë i habitur se sa kohë keni shpenzuar duke debatuar e artikuluar mbi "autobusët bendy" që Livingstoun futi kur ai ishte kryetar bashkie. Duke marrë parasysh që ju shkoni me biçikletë në punë, pse u morët kaq shumë me autobusët bendy?
Autobusi bendy ishte 18 metra i gjatë, bllokonte trafikun si një balenë e shtrirë, ai mund të shkëputej, mund të merrte zjarr, mund të ishte shumë i rrezikshme për çiklistët. Dhe ishte prodhuar në Gjermani. S’mjafton një natë dimri për të treguar për bukurinë e autobusit të ri për Londrën, që kemi krijuar me teknologjinë e fundit britanike. Ai rikthen në rrugët tona platformën ngjitëse dhe zbritëse të autobusëve klasikë në Londër, që u hoqën për shkak të fanatikëve të shëndetit-dhe-sigurisë.
Në fjalimin e tij të lamtumirës, muajin e kaluar, Livingstoun pohon se rizgjedhja juaj veç të tjerash, provon se ju së shpejti do të zëvendësoni kryeministrin jopopullor David Cameron si kreu i Partisë Konservatore...
-Mendoj se ka më shumë të ngjarë të rimishërohem në një ulli ose të cungohem nga një disk fluturues apo të më ndodhin një seri gjërash të tjera të pamundura sesa të thirrem për të shërbyer në atë zyrë.
Mirë, po flokët. Çfarë u bëni atyre në mëngjes?
 -Kam një qasje goxha konvencionale ndaj tyre. Kam një furçë dhe një krehër.
Më të vërtetë? Nuk duken as të shtrirë, as të krehur. Duken si qëllimisht të padisiplinuar.
-Kjo mund të ketë të bëjë me vënien e helmetës së biçikletës në kokë. Mund të ndodhë dhe kështu.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›