E Diel, 1 Nëntor 2026

7500 euro një shishe verë me kokainë

Mënyra më e re e trafikimit të lëndës së fortë narkotike u zbulua me vdekjen nga mbidoza të Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut. Si rikthehet tretësira e hedhur në verë në kokainë të pastër dhe hetimet e deritanishme

TIRANË - Nuk është shumë çudi që të dëgjoni se një shishe verë mund të kushtojë tashmë rreth 7500 euro, ose mbi 9 milionë lekë të vjetra. Çmimi i çmendur nuk vjen për shkak të cilësisë së padiskutueshme të verës, por për cilësinë mjaft të mirë të kokainës që varion nga 150-200 gramë të hedhur për shishe. Kjo është forma e re e trafikimit të lëndëve narkotike, e gjetur nga “specialistët”. Natyrisht që vera nuk është për konsum, pasi në raste të tilla ndodh tragjedia, si ajo ku humbi jetën pak muaj më parë një çift të njohurish në Golem. Fatkeqësisht, vdekja e Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut pak muaj më parë, çoi dhe në gjurmët e trafikut të kokainës së hedhur në verë, një shishe e së cilës kap vlerën e 7500 eurove në “treg”.

Hetimi

Dyshimet se Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibraku kanë vdekur krejt rastësisht dhe nuk ka qenë në dijeni të verës që po pinin, po përforcohen dita-ditës nga hetimet e vazhdueshme të grupit hetimor. Madje, po zbardhet ngadalë edhe mënyra sesi përfundon kokaina 100 për qind e pastër në shishet e verës, në formën e tretësirës, e më pas përpunohet sërish në një laborator e del në formën e mëparshme, pa humbur asnjë veti kimike të saj. Burime konfidenciale policore bënë të ditur për “Korrierin”, se mënyra e sofistikuar e tretësirës së kokainës të hedhur në lëng është kthyer sërish në përdorim nga trafikantët, të cilët dhe kësaj radhe ia kanë gjetur “marifetin” që të sajojnë përzierje të ngjashme me atë të vajit në ujë. Pas një viti nga operacioni i koduar “Butiku”, gjatë të cilit u sekuestruan 10 kilogramë kokainë e lagësht në veshmbathje, hetuesia shqiptare po përballet me të njëjtën mënyrë trafikimi, mbase edhe më të sofistikuar se e para. Në shishet e verës futen në formën e tretësirës 150 gramë kokainë, e cila përzihet me verën, duke i shpëtuar kështu kontrollit në pikat kufitare, në të cilat eksportohet nga jashtë. Më pas ajo thahet nga “specialistët”, të cilët nëpërmjet këtij procesi e kthejnë në formën e saj, sërish në kokainë, dhe nisin shitjen e zakonshme të saj. Edhe pas përpunimit, mësohet se kokainë nuk humb asnjë efekt të saj. Si pjesë e rëndësishme e hetimeve është zbardhja e itinerarit të verës, derisa mbërrinte në Shqipëri dhe personat që merren me transportin e saj.

Si realizohet

Trafikimi i kokainës së lëngshme është rasti i dytë që po heton drejtësia shqiptare. Sasia prej 150 gramësh kokainë futet në formën e tretësirës në një sasi vere, duke bërë të mundur në këtë mënyrë moszbulimin e pranisë së drogës në rast kontrollimi. Kokaina në lëngje, në këtë rast në verë, arrin t’iu shpëtojë skanerëve të kontrollit apo qenve antidrogë të policisë. Duke parë eksperiencën e mëparshme, që kur sillet në gjendje normale ajo arrin thuajse gjithmonë të dështojë, në formën e tretësirës në lëng mundësia për t’u zbuluar është e papërfillshme. Me mbërritjen në destinacion, persona të specializuar mundësojnë tharjen e saj dhe kthimin në gjendjen e mëparshme. Të tjera burime të besueshme sqarojnë se gjatë këtij procesi nuk ka firo fare të sasisë dhe cilësia dhe pastërtia e kokainës nuk ndryshojnë aspak. “Është një proces shumë i thjeshtë kimik. Kokainën e kthejnë në formën e tretësirës dhe e fusin në lëng. Pasi kalojnë pikat kufitare, atëherë kokaina thahet dhe kthehet në gjendjen e mëparshme, e gatshme për t’u shitur. Me pak fjalë, në verë funksionon si në ujë, është i njëjti proces si me kokainën e lagësht në veshmbathje”, qartësojnë burimet.

Procesi

Kimikisht, raporti i gramaturës së kokainës me atë të ujit ose çdo lloj lënde tjetër në të cilën tretet duhet të jetë shumë i saktë. Persona të specializuar dhe njohës në këtë fushë janë pjesë e këtij rrjeti, të cilët dinë mjaft mirë sesi kryhet tretësira e kokainës në lëng, e më pas procesi i tharjes së saj. Pasi realizohet ky proces, shishet mbyllen hermetikisht dhe në çdo rast kontrolli brenda në shishet e verës rezulton vetëm lëngu. Tretësira e narkotikut nuk zbulohet nga asnjë lloj skaneri. Kjo mënyrë trafikimi e kokainës dhe mënyra e shndërrimit nga pluhur në lëng, e më pas sërish në pluhur, nuk mësohet të ketë firo të mëdha.

Kostoja

Pas analizave të bëra nga Laboratori Qendror i Kriminalistikës, rezultoi se në shishen e verës së Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut ka pasur 150 gramë kokainë. E nëse nisemi nga ky fakt, dhe duke qenë se vlera e një grami kokainë në tregun e drogës është 50 euro, një shishe vere e tillë kushton 7500 euro. Ndërkohë që kostoja e shitjes është e njëjtë, kjo metodë sjell më tepër lehtësira në kalimin e ngarkesave me “mall” dhe duket se po gjen terren mes trafikantëve të lëndëve narkotike.

Si vinte kokaina me rroba nga Brazili

Më 11 maj të vitit 2007, Antidroga e kryeqytetit, në bashkëpunim me “Guardia di Finanza” italiane, arrin të bllokojë 10 kilogramë kokainë gjatë operacionit të koduar “Butiku”. Kjo ishte hera e parë që policia shqiptare ndeshej me një mënyrë ndryshe të trafikimit të drogës. Lënda narkotike u gjend në formën e tretësirës në veshmbathjet e lagështa që vinin nga Brazili dhe mendohet që të kishin destinacion final shtetin grek. Gjatë aksionit dy persona u identifikuan si njerëzit që po merreshin me organizimin dhe trafikimin e sasisë së drogës që u bllokua. Në atë kohë policia arrestoi Jamarbër Qinamin, ndërkohë që shpalli në kërkim policor Gjon Kolën, i cili nuk është arrestuar ende. Që të dy shokët ishin policë praktikantë. Vlera e sasisë së drogës së sekuestruar kapte një vlerë tregu prej 800 mijë eurosh.

Tragjedia zbuloi linjën e trafikut

Tomi Rrumbullaku, 54 vjeç dhe Diana Xibraku, 44 vjeçe, gjetën vdekjen si pasojë e mbidozës së kokainës së gjetur në shishen e verës më 12 janar të këtij viti. Edhe pse gjatë hetimeve paraprake u përfolën dhe u hetuan shumë pista, hetimet më të fundit nga grupi hetimor bëjnë të ditur se asnjëri prej viktimave nuk ka qenë në dijeni të sasisë së drogës që po e konsumonin krejt rastësisht. Rrumbullaku dhe Xibraku po drekonin në një restorant peshku ditën e vdekjes, dhe shishja e verës që u shkaktoi edhe tragjedinë rezultoi se nuk ishte blerë në restorant, por ishte marrë me vete nga punonjësi i shpërndarjes së postës, Tomi Rrumbullaku. Duke shkelur rregullat e lokalit, pronari u kishte lejuar që të përdornin verën e marrë me vete, pasi viktimat ishin klientë të rregullt. Shishja e verës dyshohet të jetë marrë krejt rastësisht nga Rrumbullaku.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›