Pasioni dhe buka iu kushtojnë jetën

Pasioni për detin dhe nevoja për të mbajtur frymën gjallë duke peshkuar u mori jetën dy personave, të cilët u mbytën gjatë fundjavës. Një 16-vjeçar, punëtor sezonal në një bar-restorant të Kavajës, edhe pas më shumë se 36 orë kërkimesh nga ana policisë dhe e palombarëve, nuk iu gjet dot trupi, ndërkohë që ujërat e lumit Droje në Mamurras i morën jetën dje një 49-vjeçari. Leon Stafa, me origjinë nga Burreli dhe Dali Duka janë viktimat më të fundit të regjistruara në vendin tonë, si pasojë e mbytjes.
Zhdukja e Leonit
Pak pas mesditës së të shtunës, Leoni, 16 vjeç, punëtor sezonal në Golem, i cili sapo kishte mbyllur vitin e dytë të studimeve në gjimnaz, ka lënë turnin dhe nuk dihet qartë sesi ka marrë një ndër motorët e ujit që kanë qenë në breg për të bërë një xhiro, e cila rezultoi fatale për të riun. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se rreth orës 12, adoleshenti ka dalë nga restoranti, pasi ka mbyllur pjesën e parë të punës, dhe ka hyrë në det me një motor uji. Pak kohë më vonë pushuesit nuk kanë parë më Leonin mbi motor dhe kanë dhënë alarmin, ndërkohë që mjeti i vogël lundrues pluskonte i ndaluar mbi ujë. Sipas policisë, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, motori është ndaluar nga fakti se çelësi i tij lidhet në dorën e personit që e drejton, dhe është e parashikuar që në raste të tilla rëniesh të ndalojë dhe të mos godasë në kokë a pjesë të tjera të trupit drejtuesin e motorit të ujit. Por, megjithëse motori ka ndaluar, i mituri nuk ka dalë në sipërfaqe dhe kërkimet e nisura që të shtunën e të vazhduara më pas edhe përgjatë gjithë ditës së diel nuk dhanë asnjë rezultat. Shpresat se 16-vjeçari Leon Stafa mund të ketë arritur të dalë me not ndërkohë në breg, pothuajse janë shuar krejtësisht.
Vdekja e peshkatarit
Ka qenë duke gjuajtur peshk, për të siguruar ushqimin e përditshëm për dy fëmijët e tij në lumin e Drojës, i cili kalon në afërsi të Mamurrasit, por ka rrëshqitur në përpjekje për të kaluar nga një anë e lumit në tjetrën, duke mbetur brenda në ujë. Një bashkëfshatar i Dali Dukës ka dhënë alarmin i pari për mbytjen në ujë të 49-vjeçarit, ndërsa të afërmit e tij së bashku me bashkëfshatarin kanë mundur ta nxjerrin nga uji në gramat e fundit të jetës. Burime të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se 49-vjeçari Dali Duka, nga fshati Bushenesh i Bashkisë Mamurras të rrethit të Kurbinit, pasi është nxjerrë nga të afërmit e tij nga lumi Drojë, e kanë nisur për në spital. Ndërkohë që ai ka ndërruar jetë, pa pritur që bluzat e bardha t’i japin ndihmën e parë, pasi sipas policisë, ai kishte pirë shumë ujë në momentin që ishte fundosur në lumë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ka qenë një pakujdesi e çastit e peshkatarit amator Dali Duka, që i ka kushtuar atij jetën. Ndërkohë që trupi i pajetë i peshkatarit amator është dërguar në spitalin e Laçit, për t’u tërhequr nga familjarët e tij. Dali Duka kishte pak vite që kishte ardhur nga Lura në Mamurras dhe ishte babai i dy fëmijëve