REPORTAZH – Edhe trafiku ajror pezullohet për provimet e maturantëve koreano-jugorë

SEUL, 13 nëntor /ATSH-AFP/ – Trafik ajror i pezulluar, bursat dhe bankat vonojnë hapjen dhe grupe mbështetësish gjenden jashtë shkollave: në Korenë e Jugut, ekuivalenti i diplomës së maturës është një kauzë kombëtare dhe asgjë nuk i lihet rastësisë.
Imazhi i gjimnazistëve të përqendruar dhe nervozë dhe e prindërve të emocionuar dhe të stresuar jashtë qendrave të provimeve është një ndjesi universale.
Por, në Korenë e Jugut, kjo ditë shkon përtej mjedisit shkollor.
Gjatë provimit të gjuhës angleze, Ministria e Transportit vendosi një ndalim për të gjitha uljet dhe ngritjet e avionëve.
”Sot, 140 fluturime, përfshirë 75 ndërkombëtare, u prekën nga ky vendim”, tha ministria.
“Jam shumë nervoz, por jam përgatitur shumë. Do të bëj çmos”, tha 18-vjeçari Kim Min-jae, ndërsa hynte në qendrën e provimeve në Seul.
Prindërit e tij ishin edhe më nervozë se ai kur u largua nga shtëpia.
“Ata u përpoqën të siguroheshin që unë kisha gjithçka që më nevojitej për provimin”, tha Kim Min-jae duke buzëqeshur.
Për të shmangur trafikun e rënduar në mëngjes që mund të shkaktoje vonesën e studentëve, disa shërbime publike dhe banka u kërkuan punonjësve të tyre të fillojnë punën një orë më vonë.
Videot e policisë që shoqërojnë maturantët në sallat e provimeve që janë me vonesë bëhen virale çdo vit.
Rezultatet e mira në këtë provim njëditor te njohur si ”Suneung” janë thelbësore për të siguruar një vend në universitetet më të mira të vendit.
Suneung është një test i përdorur për të renditur studentët bazuar në rezultatin e tyre të përgjithshëm.
Sa më i lartë të jetë rezultati i një studenti, aq më shumë mundësi zgjedhjeje do të ketë.
Para shkollës së mesme ”Yongsan”, në zemër të kryeqytetit të Koresë së Jugut, nxënësit e parë, shpesh të shoqëruar nga prindërit e tyre, mbërrijnë që në orën 06:30.
Disa nxënës të vitit të dytë dhe të parë të shkollës së mesme janë gjithashtu të pranishëm për të mbështetur bashkëmoshatarët e tyre.
“Merrni 100 pikë në Suneung!” shkruhet në pankartat e tyre ndërsa këndojnë këngë inkurajuese sa herë që një nxënës paraqitet ne provim.
“Erdha këtu për të mbështetur shokët e mi të klasës. Të qenit këtu më motivon të studioj edhe më shumë gjatë dy viteve të ardhshme për t’u përgatitur për Suneung-un tim”, shpjegon 16-vjeçari Kang Dong-woo.
Provimi i maturës shoqërohet gjithashtu me besime dhe supersticione të shumta: atë ditë, nxënësit duhet të shmangin ngrënien e supës me alga deti sepse fijet e saj të rrëshqitshme mund t’i bëjnë ato të “rrëshqasin dhe të bien” (të ngelin në provim).
Nga ana tjetër, rekomandohen ëmbëlsirat me oriz.
Pasi i hedhin një vështrim të fundit fëmijëve të tyre jashtë qendrës së provimit, disa prindër shkojnë direkt në kishë ose tempuj.
“Shkoj në një tempull budist pranë shtëpisë sime bashke me nëna të tjera për t’u lutur”, thotë Han Yu-na, një grua 50-vjeçare.
Ajo madje i planifikon lutjet e saj sipas orarit të provimit, duke bërë pushime midis lëndëve dhe duke ngrënë drekë kur ha edhe djali i saj.
“Djali im Young-woo, shpresoj që të japësh gjithçka deri në fund. Të dua”, i tha ajo në një mesazh të fundit.
Më shumë se 550 000 maturantë janë regjistruar për vitin 2025.
Këtë vit pranimi në universitet varet gjithashtu nga sjellja e studentëve.
Përballë një rritjeje të rasteve të bullizmit, i cili është bërë një problem i madh shoqëror në Korenë e Jugut, qeveria ka vendosur ta bëjë të detyrueshëm shqyrtimin e çdo rasti dhune./ /f.k/ a.jor.