Themeli: Ekonomia pritet të zgjerohet me rreth 4% vitin e ardhshëm

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Turizmi vijon të mbetet një ndër sektorët kryesorë që do të kontribuojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë edhe në vitet në vijim. Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, deklaroi se ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritmet pozitive të rritjes, duke u zgjeruar me rreth 4% në vitin 2026.
Në një intervistë për mediet, Themeli theksoi se rritja ekonomike do të mbështetet nga kërkesa e sektorit privat për konsum e investime, si dhe nga kërkesa e huaj, veçanërisht në sektorin e turizmit, i cili po shndërrohet në një shtyllë të qëndrueshme të ekonomisë kombëtare.
Sipas tij, të dhënat e analizës për tremujorin e katërt të vitit 2025 konfirmojnë trendet pozitive, me një rritje ekonomike prej 3,6%, ritëm që mbetet pranë potencialit prodhues të ekonomisë shqiptare.
Në lidhje me inflacionin, Themeli u shpreh se ai ka shënuar një rritje të lehtë në nivelin 2,4% gjatë tremujorit të tretë, ndërsa pritet të kthehet në objektivin prej 3% në vitin 2026. Ai e cilësoi të përshtatshëm vendimin për të mos ndryshuar normën bazë të interesit, duke ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.
Banka e Shqipërisë parashikon gjithashtu që kreditimi të mbetet një element i rëndësishëm për mbështetjen e investimeve, duke kontribuar në zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik dhe në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
/e.xh/r.e/