Kaçi: Avancojmë me harmonizimin e tregut të sigurimeve me standardet e BE-së

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Për herë të parë Tirana mirëpriti Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), ngjarja më e rëndësishme ndërkombëtare në fushën e sigurimeve.
Gjatë ceremonisë së hapjes, drejtorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, nënvizoi rëndësinë e konferencës dhe sfidat globale që po adresohen.
Ajo theksoi se Shqipëria po hap kapituj të rinj në zhvillimin ekonomik, integrimin evropian, Inteligjencën Artificiale, turizmin e qëndrueshëm dhe angazhim me komunitetin botëror të sigurimeve, duke vlerësuar si një moment historik për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare pjesëmarrjen e gjerë nga e gjithë bota.
“Përgjatë dy ditëve të ardhshme (13-15 nëntor), do të vijojnë diskutimet dhe ndarja e njohurive për krijimin e lidhjeve të qarta, që do të ndihmojnë në përparimin e qëndrueshmërisë së tregut të sigurimeve, një temë gjithnjë e më e rëndësishme ditët e sotme”, tha Koçi.
Ajo vuri në dukje marrëdhënien e shkëlqyer me Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të autoritetit për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator. Gjatë këtij viti, bazuar në rekomandimet e IAIS, janë hartuar dhe propozuar ndryshime në ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, si dhe në ligjin për MB-në, me qëllim forcimin e kuadrit ligjor.
E pranishme në këtë konferencë drejtoresha e Autoritetit Evropian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale, Petra Hekelman, theksoi se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në zbatimin e ligjit të sigurimeve dhe ka një plan konkret për të përmbushur standardet e BE-së për sigurimet dhe pensionet private. Hekelman shtoi se priten rezultate të dukshme gjatë periudhës në vijim.
Ky bashkëpunim ndërkombëtar synon të rrisë qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve dhe të përmirësojë mbrojtjen e konsumatorëve në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Konferenca do të trajtojë bashkëpunimin ndërkombëtar për sfidat socio-ekonomike, përfshirë ndikimin e ngjarjeve ekstreme të motit, transformimin digjital të përshpejtuar, ndryshimet strukturore në sektorin e sigurimeve të jetës dhe rolin e sigurimeve në forcimin e rezistencës shoqërore.
Përfaqësues të IAIS vlerësuan performancën në rritje të ekonomisë shqiptare dhe kontributin e vendit në stabilitetin e tregut të sigurimeve.
Në këtë ngjarje marrin pjesë mbi 500 përfaqësues të nivelit të lartë nga autoritetet rregullatore të sigurimeve, industria ndërkombëtare e sigurimeve dhe institucione financiare ndërkombëtare, duke e bërë këtë konferencë një moment historik për Shqipërinë në arenën financiare globale.
/e.xh/r.e/a.f/