8 maji, një rast që ta përzëmë shejtanin nga realiteti i Tiranës
Fushata zgjedhore mbylli festivalin e premtimeve. Kandidati i PS-së për gjithë Shqipërinë Edi Rama na tha përgjatë një muaji se “më 8 maj, qytetarët duhet të votojnë për të realizuar ëndrrat dhe shpresat”. Dhe kuptohet pasi ta fërkojmë për të katërtën herë, xhindi i llambës do të realizojë të gjitha ëndrrat dhe do të plotësojë të gjitha shpresat. Edhe pse e kemi fërkuar për 11 vite duke holluar edhe lëkurën, për të realizuar ëndrra dhe shpresa, ai nuk është parë gjëkundi. Këto 30 ditë prilli dhe një javë maji s’ka lënë gjë pa premtuar. Ka prej tyre që thonë se i është bërë ves i keq. Sepse të paktën sikur të kishte mbajtur gjysmën e atyre ç’ka ka premtuar, atëherë ne do të kishim një Tiranë më të mirë, me një plan urbanistik, me më pak taksa, me shtëpi të hipotekuara, me më shumë hapësira të gjelbra dhe një tramvaj publik.
Mirëpo pas gjithë këtyre premtimeve, gjithmonë ka pasur një zinxhir zhgënjimesh. Dhe tespijet e zhgënjimit të tepërt janë një “krim” elektoral i konsumuar në kohë, i cili përsëritet ciklikisht sa herë ka zgjedhje vendore në Tiranë, që prej 11 vitesh. Shumë socialistë pranojnë sot se Edi Rama ka më pak ide se në 2007, dhe shumë më pak qëkurse filloi aventurën bashkiake. Forca shtypëse për të mbledhur votat gri të qytetarëve të lëkundur është në themel. Si një termet shumëballësh frika për një uragan fitoresh të “Saliut” nëpër bashki po kthehen në një sugjestion paranoje. Prandaj ky edhe është momenti më i vështirë për pjesën normale të partisë socialiste, që po mundohet të frenojë impulsin e shkatërrimit të zgjedhjeve vendore. “Ushtria e votës” është një krijesë paramilitare strukturash paralele, si pjellë e paranojës që ka Edi Rama për të humbur burimin vetëm të fuqisë së tij politike. Sepse pa firmën e bashkisë së Tiranës e gjithë forca do të tkurrej, dhe kështu ai do të humbiste si burimet financiare po ashtu edhe ato mediatike aq të nevojshme për demokracinë e konferencave për shtyp, që ka në mendje.
Ne jemi përballë ditës së gjykimit, ku të gjitha gjynahet dhe të mirat do të peshohen në drejtësinë e votës së jurisë qytetare. Vetëm pas verdiktit të sovranit ne do të kurorëzojnë një princ të ri ose do të mbajmë një monark të vjetër. Siç do monark edhe Edi Rama kërkon të ruajë “status-quo”-në dhjetëvjeçare, dhe për këtë arsye krijoi një fushatë të egër me sulme politike, për t’i shpëtuar bërjes së një bilanci.
Përkundër fushatës bosh e negativiste të socialistëve, kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një fushatë propozimesh konkrete, për taksat, për hipotekat, për gjelbërimin, për jetën kulturore të qytetit dhe një vendimmarrje referendare për çdo investim me impakt madhor. Sot ka ardhur koha të japin shansin një tjetër politikani për të drejtuar punët e bashkisë, ngase nga ky i tanishmi, ne, jemi të braktisur që në momentin është kur është angazhuar me kohë të plotë në punët e Partisë Socialiste. Nëse kemi pak arsye do të peshojmë mirë ofertat që na bëjnë kandidatët. Natyrisht angazhimi i Bashës për të drejtuar Tiranën nuk është i vogël, duke parë shkatërrimin shkencor e sistematik të Ramës, që përveç gjuhës së penelit, gjithçka tjetër është për të është sikur të mësonte gjuhën sanskritisht. Patjetër përqasja ndaj këtij qytetit të sakatuar deri në detaje, për ta rikuperuar dhe transformuar është përkushtimi total sasior dhe cilësor i sinkronizimit të rrahjeve të zemrës me sahatin e Bashkisë dhe jo një njeri me kohë të pjesshme siç është Edi Rama, që do Bashki dhe Parti, për t’u katapultuar në kryeministri.
Tirana ka vite që është në vend-numëro në zhvillimin ekonomik, nga keqmenaxhimi, korrupsioni i lejeve të ndërtimit, inercia kulturore dhe katastrofa infrastrukturore. Edhe ata që thonë se çështjet e ndotjes, të gjelbërimit, të pastrimit, të trafikut, të transportit publik, të punësimit, të uljes së numrit të nxënësve në klasa, të thithjes së talenteve të shkolluar jashtë vendit, të largimit të lypësve nga rruga… Janë probleme, për të cilat kanë folur e flasin gjithnjë të gjithë kandidatët për kryetar bashkie të qytetit të Tiranës duan të përgjithësojnë dhe relativizojnë paaftësinë e Ramës për të ushtruar detyrën si kryebashkiak. Të gjitha këto probleme që numëruam më lart janë rezultat i mungesës së përgjegjësisë, defekteve të tjera dhe i makutërisë për pushtet të Ramës. Modeli unicentrik “Rama” është i dyshuar, pasi ka prodhuar pakënaqësinë e jetës së qytetarëve. Ereksionet artistike me fasadat e pallateve në kryeqytet s’mund të fshehë më mjerimin strukturor që të jep kështu Tirana. Janë dimensioni social i strehimit, i përkrahjes sociale për shtresat në nevojë, i problemeve të krijimit të mundësive për një jetë normale të pensionistëve apo të personave me aftësi të kufizuara, që kanë mbetur pa asnjë zgjidhje. Zgjidhje e re është investimi kapital në projektin europian të Bashës, si heqje e vizave ndarëse mes Kryebashkiakut dhe Qytetarëve. Ne mund të zgjedhim të mirën tonë.