Polifotoja e vërtetë e fushatës
Të dy partitë politike mbaruan dje fushatën elektorale. Koalicioni i Berishës e mbylli fushatën ashtu siç nuk e kishte bërë, ndërsa koalicioni i Ramës nuk i devijoi projektit të tij politik, duke marrë përsipër fushatën elektorale me sfond politik.
Dje për herë të parë në ditën e fundit të fushatës, koalicioni Berisha ishte i plotë, i qartë dhe i vërtetë për shqiptarët. Në shesh ishin krah njëri- tjetrit, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulëzim Basha, të cilët u ndanë gjatë fushatës për të mos i parë shqiptarët së bashku. Berisha nën akuzën se prish punë në votat e Tiranës si kryeministër që ka vrarë dhe vjedhur, Ilir Meta nën akuzë për mitmarrje dhe diskretitim publik të qeverisjes, Fatmir Mediu, përgjegjës për vrasjen e 26 qytetarëve, Lulëzim Basha përgjegjës për abuzim me mbi 200 milionë euro dhe 4 të vrarë më 21 janar. Ishin bashkë. Kurrë më parë në historinë e këtij vendi në aq pak metra katrorë nuk ka pasur një dendësi aq të madhe mëkatesh dhe njerëzish të përfshirë në vrasje dhe vjedhje në këtë vend për 7 vite. Aty ishte në të vërtetë fytyra reale e pushtetit që do të vazhdojë të na qeverisë pas 8 Majit. Ata u fshehën në fushatë duke kuptuar se janë njerëz të urryer nga populli shqiptar, por nesër të gjithë duhet të kujtojnë fjalitë shfajësuese të Sali Berishës, ato fjali që ai thotë gjithmonë sa herë nuk mban fjalët që thotë në fushatë. Ai është i vetmi politikan që i ka dhënë fushatës në kulturën politike shqiptare kuptimin e një teatri ku mund të gënjesh njerëzit. Ai është njeriu që ka pranuar se Nanon e ka quajtur hajdut dhe vrasës për fushatë, Ilir Metën e ka quajtur vrasës dhe trafikant femrash dhe fëmijësh për fushatë, që premtimet e pambajtura i ka bërë në fushatë, dhe nesër do të thotë që fshehja e tij nga fushata ishte po për fushatë. Ndryshe nga çdo vend i botës ku fushata është një kohë kur politikani ballafaqohet me të vërtetën, në kulturën politike të Berishës ai është kthyer prej kohësh në një periudhë zyrtare gënjeshtrash.
Përballë koalicionit Berisha, koalicioni i Ramës ka qenë më politik, më i vërtetë dhe më realist në qëndrimin e tij. Ai ka kërkuar votë politike kundër qeverisjes si një mënyrë për ti dhënë fund krizës politike. Në mënyrë simbolike fushata e Ramës u çel nga kandidati surprizë i kësaj fushate Rakip Suli, që mund të përmbysë depot e paligjshme të votave në Kamëz, të krijuara përmes pareve dhe punëve të pista, dhe në gjithë prezencën e tyre kanë demonstruar vullnetin politik për zgjedhjet. Ndryshe nga Berisha, ata e kanë konsideruar mitingun e fundit si miting të Tiranës dhe jo të Shqipërisë, kjo dhe për faktin se ata nuk kishin nevojë për një miting ku të dilnin të gjithë së bashku me njëri tjetrin, siç ka pasur nevojë koalicioni i Berishës. Siç e thamë dhe në fillim, koalicioni Rama e mbylli fushatën ashtu siç e ka nisur, ndërsa Berisha e mbylli fushatën ashtu siç nuk e bëri, e mbylli me një fotografi e cila turpëron çdokënd që kërkon të marrë votat e qytetarëve.
Pas 8 majit, pavarësisht rezultatit, ne do ta shikojmë përditë këtë fotografi, do ta shikojmë përditë bashkë Sali Berishën, Fatmir Mediun, Ilir Metën dhe Lulëzim Bashën, të cilët kishin frikë të bashkoheshin gjatë fushatës për shkak të reaksionit që ngjallin tek qytetarët. Pas 8 Majit do të na kujtohet të gjithëve Lulëzim Basha dhe tortura e tij për të montuar kaseta, për të montuar pyetje, për të montuar përgjigje dhe për të montuar publikun shëtitës, që e ndiqte në çdo shesh xhirimi. Do të kujtojmë poshtërimin që i është bërë Berishës dhe Metës duke i lënë rrugëve të Shqipërisë të ndarë nga njëri- tjetri, për të mos u kujtuar shqiptarëve çfarë kanë vjedhur dhe çfarë kanë vrarë këto vite. Pas 8 Majit do të na kujtohet të gjithëve, se nuk ishte fushatë, por një teatër, ku diktohej gjithçka, jo vetëm fjalimet dhe intervistat, por dhe vrasjet dhe kërcënimet, dhuna dhe poshtërimi i qytetarëve duke u blerë votat paraprakisht. Dje ky teatër mori fund. Polifotoja e koalicionit Berisha ishte dje polifotoja e vërtetë që shqiptarët do të kenë para syve të dielën kur të votojnë. Standardet u varrosën qysh tani. Shpresojmë të mos varrosen përfundimisht dhe zgjedhjet ditën e diel.
