E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti

YLBER LILI

Në vlugun e fushatës zgjedhore, në pikun e incidenteve në terren, në kulmin e retorikës shterpe dhe diskursit vulgar në media,  një hap larg finishit të retorikës shterpe dhe të prezantimit të programeve të kandidatëve, në vazhdën e sugjerimeve dhe mesazheve të faktorit ndërkombëtar për zgjedhje të lira dhe demokratike, në kushtet e një pakti politik, fatkeqësisht të munguar për të garantuar procesin e qetë zgjedhor, diku, jo larg nesh, bash në hapësirën infraetnike, ndodhi një ngjarje gati sublime.
Ndonëse mjetet e komunikimit masiv nuk i dhanë hapësirën e duhur dhe të domosdoshme, megjithatë, pakti parazgjedhor mes krerëve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë është një moment tepër i rëndësishëm, ngaqë në kuadër të procesit zgjedhor ndahet e kaluara e afërt nga e tashmja.
Ky pakt është i rëndësishëm jo vetëm për specifikën e shtetit multietnik, por edhe për realitetin dhe frymën e hidhur e armiqësore që mbizotëronte në politikën shqiptare në FYROM. Në mbaj mendjen e kronistëve, kryesisht dhjetëvjeçari i fundit është karakterizuar nga ndjenja dhe fryma armiqësore që prodhohej në laboratorët e politikës ditore dhe derdhej me shpejtësi marramendëse në lagje, rrugë, sokakë, bulevarde, kafene, shkolla, qendra shëndetësore, administratë publike dhe shtetërore, në gëzime dhe hidhërime.
Shikuar në retrospektivë, problemi më i madh i shqiptarëve të Maqedonisë është politika përçarëse, fryma armiqësore, e cila ngjizi në trupin dhe mishin e elektoratit shqiptar. Në këtë kuptim, pakti paraelektoral është sublim për faktin e thjeshtë, minimizohet duhma e antagonizmave armiqësorë në fushatën zgjedhore dhe sadopak relaksohet marrëdhënia e qytetarit me njëri-tjetrin.
Shtrohet pyetja: cilët janë efektet e këtij pakti? Natyrisht që me një shtrëngim duarsh mes liderëve dhe një firme, mbi letrën e bardhë me shkronja të diktuara nga pala e tretë nuk pritet që të mbyllen të gjitha vrimat, që janë produkt i politikës.
Gjithsesi, teorikisht dhe praktikisht nuk do të kemi kacafytje politike deri në asgjësim, nuk do të shfaqen reprizat e së kaluarës me kallashë krahaqafë në pikun e ditës, nuk mund të ketë abuzime dhe vjedhje masive të votave, nuk do të dergjet gjak në rrugët dhe qendrat e votimit. Me pak fjalë, pakti paraelektoral do të shërbejë për të stabilizuar një proces zgjedhor të qetë e të paqmë, i cili deri tani ka munguar. Prandaj, pakti Thaçi-Ahmeti shënon një fillim të ri për politikën, shoqërinë dhe proceset zgjedhore në hapësirat etnike shqiptare në Maqedoni.
Aktorët dhe faktorët që bënë të mundur një gjë të tillë duhen përgëzuar, ngaqë ndanë dy epoka, atë të kaosit dhe e përgjakjes së procesit zgjedhor me epokën e paqtimit të mendjeve politike dhe stabilitetit në shoqëri. Në këtë kuadër, nuk është  momenti për tu atribuuar meritat iniciuesve të këtij pakti, por më rëndësi është se në politikë, pavarësisht antagonizmave të thellë, mbeten të pashtershme metodat e paqtimit të mendjeve. Ky pajtim ka kuptim vetëm kur buron nga politika, e cila është shkaktarja kryesore e të gjitha problemeve të shfaqen në shoqëri.
Të mos harrojmë se pakti elektoral erdhi në momentin dhe kohën e duhur, ngaqë politika shqiptare në Maqedoni ishte investuar vetëm në një drejtim, ndërtimin e murit ndarës dhe në ngritjen e llogoreve armiqësore, ku pasojat mund të ishin tmerrësisht të dëmshme jo vetëm për procesin zgjedhor, por për vetë shoqërinë, imazhin dhe perspektivën e shqiptarëve të të gjitha hapësirave. Në mbyllje, le të bëjmë një analogji mes realitetit zgjedhor në Shqipëri dhe paktit paraelektoral të politikës shqiptare në Maqedoni.
Nëse do ti marrim si të mirëqena burimet mediatike, Kryeministri shqiptar, z. Berisha, ka qenë i këtij pakti. Ndonëse e vërteta është relative, në këtë rast, kreu i maxhorancës i është kthyer për një moment profesionit të tij të vjetër, d.m.th. mjeku ka rekomanduar ilaçin e duhur për pacientin, gjë që fatkeqësisht mungoi në realitetin parazgjedhor në Shqipëri.
Pakti ishte i rëndësishëm dhe i domosdoshëm… E kam fjalën për paktin e paqtimit të mendjeve politike, dhe jo paktin me qytetarin. Armiqësia kurdiset në odat e politikës, pastaj zbret në shtëpitë e shqiptarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›