E Diel, 1 Nëntor 2026

8 raste te reja me gripin e derrit. Mjeket I larte fluksi i te prekurve

Autoritetet e shëndetësisë konfirmojnë edhe tetë raste të reja me virusin A/H1N1 duke e çuar numrin e  përgjithshëm të personave të prekur në 27. Aktualisht disa nga këta pacientë të prekur vazhdojnë të trajtohen pranë spitalit infektiv në Tiranë. Mjekët thonë se fatmirësisht ata janë jashtë rrezikut për jetën ndërkohë që personat vuajnë dhe nga sëmundje të tjera.

“Kanë bërë komplikacione rastet që janë shtruar. Një pjesë e tyre mjekohen ambulatorisht edhe me preparate antivirale siç është Tamiflu-ja. Raste të cilat kanë nevojë për ndjekje të kujdesshme shëndetësore i nënshtrohen trajtimit në spital. Rastet janë nga Tirana, nga mosha 15-70 vjeç. Me problematike është për persionat që kanë sëmundje të tjera siç është diabeti, sëmundjet kronike të zemrës, të mushkrive” thotë Klodi Shkurti, mjeke infeksioniste në QSUT.

Në këtë situatë kur rastet shtohen nga dita mjekët ngrejnë edhe shqetesimin se fluksi është i papërballueshëm pasi qytetarët nuk drejtohen tek mjekët e familjes.

“Çdo ditë ne përballemi me 50-70 raste që paraqiten në ugjencë, nga të cilët, më shumë se gjysma paraqesin sindromë gripale. Jo të gjithë kanë indikacione për të ardhur në spital. Duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes. Ai do vlerësojë gjendjen dhe në rastet që ai e gjykon që është urgjencë për të ardhur në spital ne jemi të gatshëm t’i shërbejmë në çdo orë të ditës” thotë Shkurti.

Ndërkohë, një fluks të lartë të vizitave mjekët e raportojne edhe në spitalin e pediatrisë. Numri i fëmijëve që paraqiten për ndihme mjekësore shkon në 200 vizita në ditë.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›