E Diel, 1 Nëntor 2026

80 vjet nga ndarja me Shtjefën Gjeçovin

Historia e popullit shqiptar përmban plot ngjarje e figura të shquara që meritojnë të përkujtohen për kontributet e dhëna në fusha të ndryshme të jetës. Ky vit, 2009-a, përkon edhe me tri data simbolike kushtuar At Shtjefën Gjeçovit: 80-vjetori i vdekjes, 20-vjetori i përkthimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze nga kompania botuese "Gjonlekaj" në Nju Jork (1989) dhe 10-vjetori i mbajtjes së simpoziumit kushtuar 70- vjetorit të vdekjes së Gjeçovit në Nju Jork (1999). Të tri këto data janë të lidhura ngushtë me jetën e veprimtarinë e një patrioti dhe intelektuali shqiptar që zë vend nderi në historinë dhe shkencën shqiptare. Tetëdhjetë vjet më parë, në Zym të Prizrenit, At Shtjefën Kostandin Gjeçovi u vra nga shovinistët serbë, për shkak të idealeve dhe veprimtarisë së tij patriotike. Kundërshtoi me të gjitha forcat, duke marrë pjesë aktive në lëvizjet kombëtare kundër padrejtësive dhe synimeve shkombëtarizuese të serbomëdhenjve ndaj popullsisë shqiptare e kulturës kombëtare. Shtjefën Gjeçovi, njihet për veprimtarinë e tij atdhetare të pandërprerë, që në kryengritjet kundërosmane në krahinën e Kurbinit më 1906, 1909 - 1912, për pjesëmarrjen në çetat e luftëtarëve të lirisë e për pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës (1912) etj. Por, Gjeçovi nuk ishte vetëm një atdhetar i flaktë, por edhe një dijetar, etnolog, arkeolog e shkrimtar, duke i dhënë kulturës kombëtare vepra me vlerë të madhe. Shtjefën Gjeçovi është pionieri i mbledhjes nga gojëdhëna popullore të zakoneve e traditave të malësorëve tanë, posaçërisht në Mirditë. Veprimtaria e tij shkencore në fushën e etnologjisë u kurorëzua me mbledhjen dhe botimin pjesë-pjesë të normave të Kanunit, fillimisht në revistën "Hylli i Dritës", nga viti 1913 e deri në vitin 1929, kur u vra. Pas vdekjes së tij u përgatit e u botua Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933) nga kleri katolik françeskan i Shkodrës, me parathënien e mrekullueshme të poetit të madh kombëtar, At Gjergj Fishtës. Karakteristika themelore e veprës madhore të Gjeçovit, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është se normat e tij i mblodhi drejtpërdrejt nga goja e popullit, pranë të cilit jetoi e punoi deri në fund të jetës së tij. Me normat e Kanunit, malësorët vetëqeveriseshin dhe me to rregullonin të gjitha marrëdhëniet shoqërore në fusha të ndryshme të jetës, marrëdhëniet familjare e martesore, marrëdhëniet e pronësisë, të trashëgimisë, të punës, të vetëmbrojtjes, si dhe në fushën penale e procedurale për dhënien e drejtësisë nga pleqtë e zakonit. Natyrisht, vendin kryesor në Kanun e zinin vlerat e larta etike morale shoqërore: nderi, besa, mikpritja, burrëria, falja, pajtimi, gjakmarrja etj. Pikërisht për shkak të kësaj përmbajtjeje Kanuni tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e shumë studiuesve të vendit e të huaj, që nga Johanes G. Hahn (1853), Edith Durham e deri në ditët tona. Por, këto arsye Kanuni u përkthye në gjuhët italiane, gjermane, ruse dhe në gjuhën angleze, duke i bërë një shërbim të madh kombit dhe kulturës sonë kombëtare. Përkthimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze u bë nga prof. Leonard Fox, me cilësi të lartë. U botua në tetor të vitit 1989 nga kompania atdhetare e mirënjohur Gjonlekaj (Nju Jork). Kjo ishte një ngjarje e madhe për kulturën shqiptare, sepse krijoi mundësira të gjera për njohjen e saj, në një gjuhë kryesore me përmasa botërore në vendet anglishtfolëse e në radhë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli e më gjerë. Të shumta kanë qenë vlerësimet e bëra për Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze, për kulturën e lashtë juridike të popullit shqiptar. Për Kanunin e Lekë Dukagjinit brenda dhe jashtë vendit janë botuar vepra dhe artikuj të panumërt (edhe unë personalisht kam dhënë kontributin modest me më shumë se 25 botime), por botimi i tij në gjuhën angleze do të rrisë në mënyrë të pakrahasueshme studiuesit dhe botimet për vlerat e tij. Në tetor 1999, 10 vjet më parë, në Nju Jork të SHBA, me nismën dhe sponsorizimin e kompanisë botuese "Gjonlekaj", u organizua simpoziumi kushtuar 70-vjetorit të vdekjes së At Shtjefën Konstandin Gjeçovit. Në këtë simpozium morën pjesë shumë bashkatdhetarë të diasporës në Amerikë, studiues - albanologë amerikanë, anglezë, japonezë dhe tre studiues nga Shqipëria, ku bëja pjesë dhe unë, At Zef Pëllumi, Pal Doçi dhe amerikania Kathlen Imholz. Ligjëratat e mbajtura në simpozium ishin të larmishme, ashtu siç ishte figura e madhe e polivalente e vetë Gjeçovit. Ato merita ruajnë plotësisht vlerat e tyre dhe tani me rastin e 80-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe do të ruhen përgjithmonë. U larguam nga Nju Jorku me përshtypjet më të mira për zhvillimin e simpoziumit dhe me admirim të thellë për popullin amerikan e respekt për diasporën atdhedashëse shqiptare, si dhe me falënderim e mirënjohje për organizatorin, z.Gjonlekaj, i cili bëri të pamundur të përkujtohej në vendin ku nderohen e respektohen vlerat njerëzore, 70-vjetori i të paharruarit Gjeçov.

Përkujtimi i këtyre tri datave simbolike na shërben për të ruajtur me respekt e nderim të thellë kujtimin e Gjeçovit, që u përpoq e luftoi për çështjen kombëtare shqiptare dhe që na la veprën madhore: Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Në kushtet e sotme të pluralizmit në Shqipërinë e lirë e të pavarur, të shtetit demokratik ku veprojnë Kushtetuta e ligjet demokratike, për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore e juridike, kuptohet se Kanuni ka vlera historike dhe ruhet vetëm si monument i kulturës kombëtare, por jo për t‘u zbatuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›