E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJë LINDJE ME NëNëN E GABUAR

Carolyn është gruaja që sapo ka lindur një bebe dhe shprehet plot ngazëllim për krijesën që ka sjellë në jetë: "Është një fëmijë shumë i bukur, është kaq i këndshëm, urimet më të mira dhe më të përzemërta për prindërit". Shannon, nëna që ka parë që fëmija i saj të rritet në barkun e një tjetër nëne, lëshon një psherëtimë çliruese: "Faleminderit Carolyn, ti je engjëlli ynë mbrojtës".
Kjo është historia e një shkëmbimi bebesh, që siç dihet për çdo prind është edhe ankthi më i madh që mund të përjetojë, teksa presin të sjellin në jetë një fëmijë. Por ngatërresa nuk ka ndodhur në infermierinë e një spitali. E gjithë kjo histori e ka zanafillën në një klinikë amerikane farëzimi artificial. Epruvetat me embrionet brenda janë ndërruar gabimisht gjatë ndërhyrjes. Kështu, para disa javësh, Carolyn Savage, nga Silvania (Ohajo, SHBA) ka sjellë në jetë një foshnjë që peshonte 2,2 kilogramë. Në fakt, kjo bebe ishte e Shannon Morell, një gruaje tjetër që edhe ajo i kishte "embrionet e ngrira" në këtë institut, i cili është ndër më të njohurit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për insimimin artificial. Është një histori befasuese dhe ka një fund po kaq tronditës: disa ditë pas lindjes, Shannon, nëna biologjike ka mundur të përqafojë foshnjën pasi Carolyn, nëna "e rastësishme", e cila e mbajti për nëntë muaj në bark, ia riktheu. "Carolyn është një engjëll mbrojtës. Bashkë me bashkëshortin do t‘i jemi mirënjohës për gjithë jetën", ka thënë Shannon, e cila ende nuk arrin ta besojë, pasi raste të ngjashme normalisht gjejnë zgjidhje vetëm në gjykatë.
Gjithçka filloi në shkurt të këtij viti. Çifti Savage, prindër të tre fëmijëve, kishin vendosur të riktheheshin në klinikë (emri i së cilës nuk bëhet i ditur) pasi dëshironin të sillnin në jetë fëmijën e tretë. Nuk donin "t‘i braktisnin" pesë embrionet që u kishin mbetur në ngrirje dhe kishin kërkuar t‘i përdornin për një fekondim tjetër.
Dhjetë ditë pas ndërhyrjes, bashkëshorti i saj, Sean, mori një telefonatë nga klinika: "Zotëri, ju kërkojmë të falur për shqetësimin, por ka ndodhur një gabim, embrioni që i kemi mbjellë gruas suaj nuk është i juaji", u dëgjua një zë nga ana tjetër e receptorit. "Isha në dhomën time të gjumit", kujton gruaja. "Sean hyri dhe më tha: ‘Kam një lajm jashtëzakonisht të hidhur. Je shtatzënë, por të kanë mbjellë embrionin e gabuar‘. Mendoj se nuk kam qarë kurrë kaq shumë në jetën time. Ishte një makth, ndihesha e dhunuar".
Pasi e kaloi gjendjen shokuese, çifti Savage vendosi të mos e ndërpriste shtatzëninë dhe më pas t‘ia jepnin beben prindërve të vërtetë, të cilët kishin edhe dy binjake. "Gjatë shtatzënisë isha shumë e kujdesshme, sepse mbaja në bark një fëmijë që nuk ishte i imi", ka treguar Carolyn, e cila menjëherë pas lindjes ka pasur vetëm një dëshirë: "I kërkova nënës biologjike të bebit të më linte pak vetëm, për t‘i thënë njëri-tjetrit përshëndetje dhe mirupafshim".
Natyrisht që ky rast ka ngjallur shumë dyshime mbi sigurinë e klinikave të farëzimit artificial. Por a ka gjasa që kjo gjë të ndodhë edhe në klinikat europiane? "Procedurat e adoptimit i bëjnë pothuajse të pamundura raste të tilla". Sipas të dhënave vërejmë se nuk janë regjistruar "gabime" të tilla. Madje jo vetëm kaq: pas dy vitesh do të hyjë në fuqi ligji europian që parashikon një rritje të kontrolleve në të gjithë Bashkimin Europian.
Për ata që janë të interesuar, çifti Savage ka vendosur të mos i çojnë dëm ato pesë embrione, ndërkohë kërkojnë nëna që dëshirojnë të lindin.

1 milionë e 400 mijë fëmijë në të gjithë botën
Janë 1 milionë e 400 mijë fëmijë në të gjithë botën që kanë lindur falë fekondimit artificial. Europa dominon në këtë pozicionim: nga kontinenti i vjetër lindin 65-70 % të të dhënave botërore. Kjo e dhënë është konfirmuar nga Karl Nygren, presidenti i Konsocioumit të Regjistrimit Europian për lindjet me fekondim artificial. Kjo e dhënë është gjithnjë e në rritje dhe mjekësia është duke përparuar në këtë metodë, që ka bërë të lumtur shumë prindër. Por ekspertët lëshojnë edhe një alarm: në rast të shtatzënisë binjake ka rreziqe të mundshme për beben dhe për nënën që do ta lindë. "Kemi zbuluar se në të tilla raste një fëmijë në 5 rrezikon shëndetin - shpjegon Francois Shenfield, koordinatore e etikës të ESHRE (Shoqata Europiane e Riprodhimit Embrional. Rreth 30-50% e grave pas lindjeve të tilla (binjakë ose trinjakë) bëhet viktimë e depresionit ose kalon stres të madh, i shkaktuar nga impenjimi i madh fizik".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›