Një trill për diktaturën
Është kthyer vite pas, ka udhëtuar në kujtesë, ka gjetur ngjarje të jetuara, personazhe të gjalla, episode të një kohe të shkuar... Në vitet e gjata që merreshin, rimerreshin e përpunoheshin në mendjen e saj, Flutura Açka u veshi petkun e rrëfimtarit. Personazhet e saj më të reja gjallojnë në një qytet shqiptar të viteve ‘80. Në Skampis. Por rrëfejnë një epokë. Atë ku shkrimtarja ishte dëshmitare me rininë e saj të hershme. "Ku je?" është romani që fjeti gjatë tek ajo. Botuar nga "Toena", është promovuar dje në një takim mes miqsh. "Është më shumë një klithmë, një thirrje, një kërkesë e një gjëje të munguar. E kam konsideruar si një klithmë timen për liri. Për shumë vite kanë qëndruar brenda meje si struktura të dy romaneve të mëvetësishëm, por që në fund i shkriva në një. Në të ka gjëra që i kam prekur, i kam njohur, personazhe, karaktere që kanë ndikuar në jetën time qoftë edhe me prani rastësore. Më është dashur të hyj në vetvete, të kthehem pas jo vetëm me nostalgji, por te një gjë sa e trishtueshme, po aq edhe themelore. Vitet e mia të fëmijërisë që lidhen me diktaturën. Jam shkrimtare e dy kohëve dhe dëshmitare e asaj kohe. Duke i parë gjërat së brendshmi mendoj se janë shumë më afër së vërtetës sesa po ta shikoja nga një perspektivë e largët, siç do t‘i ndodhë me një shkrimtar të pas 20 viteve", tregon Açka. Mendon se filli i romanit të ri të saj, që shënon edhe të katërtin në krijimtari, është liria. Liria e munguar e një epoke e bashkë me të filozofia e jetës, e vdekjes. Qyteti i fëmijërisë së shkrimtares, Elbasani, është terreni i ngjarjes. Ndërsa gjithçka tjetër që gjallon në të është personifikim i kushtëzimeve dhe mungesa të një kohe të caktuar. Flutura Açka e quan këtë roman, që ndryshe nga krijimet e saj të mëparshme, nuk i qëndron staturës së saj si shkrimtare, një dedikim për brezin e prindërve të saj, për shumë nëna e baballarë që atëkohë kishin ngritur një barrierë mes diktaturës, mungesës së lirisë e gjithçkaje tjetër dhe fëmijëve. Në kujtesën e saj, hapësira brenda mureve të shtëpisë ku frymonin ishte një oaz qetësie. "Ia detyroja këtë roman të gjithë prindërve që i bënë barrierë asaj kohe, për të rritur një brez të cilit nuk i emetohej ajo çka realisht ndodhte", thotë Açka. Më tej, në atë realitet të trilluar të ngritur prej shkrimtares, ka personazhe që mendojnë njerëz që veprojnë, reagojnë, janë njerëz në shtypje, por kundër shtypjes, u mungon fryma e kërkojnë frymën, ju mungon liria e kërkojnë lirinë, njerëz nën diktat, por që e shpërfillin atë duke e bërë më të bukur, që bëjnë seks, që jetojnë, dashurojnë. Është një fiction plot ngjarje, jetë, dramë, komedi, dhimbje, dhunë, dashuri dhe ethe padurimi, nëpër spirale rrëqethëse mes jetës dhe vdekjes. Açka e konsideron edhe si një trajtim shterues të asaj kohe. "Nuk e kam kufizuar brenda një kornize, ashtu siç ndodh me shkrimtarët që thellohen në një temë të caktuar. Ka një shtrirje dhe kjo ndoshta vjen për shkak të pjekurisë, të temave, të gjërave që më është dashur të them ose ndoshta një dëshirë për ta shteruar dhe të mos iu kthyer më asaj epoke. Ideve të mia, filozofisë, klithmës time jam përpjekur t‘i vë një pikë. Shpresoj që t‘ia kem dalë. Kam dalë përtej staturës time si shkrimtare që shkruaj saktë, prerë, shkurt, por ndihem mirë edhe në këtë rrëfim të gjatë". Në një terren ku veprojnë personazhe, ku stimulohen e ndodhin ngjarje, krahas jetës është vdekja. Autorja rreket t‘i afrohet psikologjikisht. Të kuptojë ç‘do të thotë kërcënim i vdekjes. Është një ese e tërë, jo e mëvetësishme, por e ndërfutur në roman përmes dy personazheve femra. Ato nuk janë veçse trupa që mbartin "sëmundje", por përcjellëse të një mesazhi emancipues. "Në përgjithësi femra në prozën time është një qenie e emancipuar. Përtej të qenit vetë një qenie biologjike, ose shoqërore, shkrimtari duhet të jetë edhe civilizues. Detyra e personazheve të mi është të ndeshen me kohën, të thonë e të kërkojnë diçka më shumë se ajo. Edhe vajzat e bukura të xhiros së Elbasanit, me shkundjen e kindave të tyre të fundeve të prera enkas ndryshe nga kostumet seri, tregojnë se ka një brez, një bërthamë që vlon ndryshe nga e zakonshmja dhe u indukton të tjerëve nga kjo lëvizje". "Ku je?" është shkruar gjatë dy viteve të fundit, por i menduar për shumë kohë. Për Açkën është normale që një shkrimtar të vijë pas të tjerëve në dëshmitë e një epoke. Ai nuk sjell ditarë, shënime burgu, monografi..."Kjo do të thotë të mos nisesh nga fakti, por nga njeriu", thotë Açka.