800 banorë tek Kodra e Diellit thahen për pikën e ujit, Ujësjellësi fajëson Bashkinë
Sapo hyn në zonën e quajtur Kodra e Diellit në lagjen Komuna e Parisit, aty të zë syri dhjetëra banorë që pothuajse në çdo orë të ditës me kova e mjete të tjera rendin për të mbushur ujë, në autobotet e vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës. Paradoksi më i
madh në gjithë këtë panoramë e cila të çon vite larg atë herë kur i madh e i vogël vraponte për të mbushur ujë, në burimet a në çezmat e stisura enkas për qytetarët, tashmë në lagjet e kamura të kryeqytetit nuk gjen asnjë mundësi të këtij lloji për të mbushur kovat e bidonët. Autobotet e Bashkisë së Tiranës i vetmi shpëtim për banorët e zonës Kodra e Diellit ose e quajtur ndryshe Selita duket se nuk e kryejnë funksionin e tyre, pasi sipas banorëve të kësaj zone në shumë raste uji Brenda cisternave të mëdha është me probleme dhe nuk kanë të pakta rastet kur në to ka pasur mbeturina e uji ka qenë i ndotur. Ndërsa sipas banorëve ujin për të pirë të gjithë pa përjashtim të cilët numërohen rreth 800 frymë e blejnë. Në këtë rast çdo familjeje kjo sasi uji i kushton rreth 100 mijë lekë të vjetra në muaj vetëm për blerje të ujit të pijshëm i cili përdoret edhe për të larë kryesisht enët e kuzhinës, pasi uji i autoboteve në shumicën e rasteve është i turbullt.
Problemi
Prej më shumë se gjashtë vitesh në zonën Kodra e Diellit ndërtimet pa kriter janë bërë shkaku kryesor për ndërprerjet e ujit në këtë zonë. Burime nga ujësjellësi i Tiranës thanë dje për gazetën se ndërtimet pa kriter të Bashkisë së Tiranës të cilat në shumicën e rasteve janë ndërtuar mbi tubacionet e ujit të pijshëm e për pasojë i kanë çarë ato, janë edhe problemet kryesore të cilat kanë ndikuar në ndërprerjet e uji. Këto burime nga Ujësjellësi i Kryeqytetit theksojnë se edhe pse nga ky institucion Bashkia e Tiranës, është sinjalizuar disa herë pasi kanë të shumta edhe ankesat nga banorët por sërish nuk është marrë asnjë masë. I njëjti rrjet ujësjellësi që ekzistonte kur Tirana kishte jo më shumë se 300 mijë banorë ekziston edhe sot që kryeqyteti ka më shumë se një milion banorë të shpërngulur këtu nga rrethe të ndryshme të vendit, pas viteve 90. Specialistë pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve për Tiranën ngarkojnë me përgjegjësi Bashkinë e Tiranës për dhënien e lejeve të ndërtimi pa kriter. Nëse bashkia do të ishte më e përgjegjshme në punën e saj nuk do ishte kjo situatë. Para se të jepet leja e ndërtimit, së pari bashkia duhet të konsultohet me Ujësjellësin për të bërë së pari studimin e zonës, a ka aty burime ujore të cilat duhen të shfrytëzohen për furnizimin e zonës me ujë të pijshëm, gjë e cila nuk është bërë në asnjë rast të vetëm duke sjellë këtë situatë të rënduar e cila vështirë se zgjidhet, thonë specialistët e Ujësjellësit. Situata është e tillë edhe për faktin se infrastruktura e kanalizimeve në këtë territor është goditur keqazi nga përfituesit e paligjshëm. Amortizimi i rrjetit, çarjet e tubacioneve të rrjetit të ujit të pijshëm dhe shfrytëzimi i tyre nga shumë lavazhe dhe biznese të tjera, të cilat e shfrytëzojnë ujin në mënyrë ilegale, kanë lënë pa pikën e ujit banorët jo vetëm në këtë pjesë të kryeqytetit.
Administratori i pallatit: Kemi dërguar katër peticione në Bashkinë e Tiranës
Po thahemi prej katër vitesh për pikën e ujit, asnjë institucion nuk përgjigjet për këtë, Bashkia e Tiranës na gënjen me ujin e autobotëve i cili në shumë raste edhe na ka sëmurur, po blejmë edhe ujin për tu larë, e për atë që pijmë as që nuk diskutohet fare ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT Ilir Doku administrator i një prej pallateve shumëkatëshe e njëkohësisht edhe banor i zonës Kodra e Diellit. Sipas tij përpara një viti i janë dërguar më shumë se katër peticione Bashkisë së Tiranës për problemin e mungesave të vazhdueshme të ujit të pijshëm dhe ende asgjë nuk ka marrë zgjidhje.
Ylvie Lala: Ujësjellësi e Bashkia e Tiranës, të papërgjegjshme
Ndërkohë një tjetër banore e kësaj zone tha dje për gazetën se edhe nga ana e ujësjellësit nuk është marrë asnjë masë, të dyja institucionet ja faturojnë përgjegjësitë njëra tjetrës e nga ana tjetër ata që paguajnë pasojat janë vetëm banorët të cilët detyrohen të paguajnë nga 30 mijë lekë të reja çdo vit për depozitën e përgjithshme të vendosur për tu furnizuar me ujë për përdorim të përditshëm. Sipas kësaj qytetareje me fillimin e stinës së nxehtë gjendja sa vjen e keqësohet dhe as depozita nuk mund të kryejë funksionin e saj pasi nga fikja e ndezja e herë pas hershme ajo digjet, e në këtë rast banorët e pallatit përkatës mbeten pa ujë të cilin e përdorin kryesisht për përdorim të përditshëm.
Arta AGOLLI