Riformatohet Ministria e Ekonomisë, Prifti përqendron pushtetin në duart e tij
Ministria Ekonomisë ristrukturohet nga kreu i institucionit dhe gjithë kompetencat përqendrohen në duart e titullarit, Dritan Prifti. Sipas strukturës së re, gjashtë drejtori do të varen drejtpërdrejt nga ministri. Përveç fryrjes së administratës me drejtorë drejtorish,
me këtë strukturë tre zëvendësministrat e Ekonomisë nuk kanë në varësi asnjë drejtori, ndërsa një skemë krejt tjetër që shpërndan pushtetin ndiqet nga pothuajse të gjithë ministritë e tjera. Struktura e re e Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës është publikuar dje nga ministri Prifti, sipas të cilës puna e çdo punonjësi nga ai i nivelit bazë dhe deri të drejtorët e drejtorive do të kontrollohet nga vetë ministri. Ndërkohë që burime nga ministria bëjnë të ditur se përveç ndryshimit të strukturës, një furtunë shkarkimesh dhe emërimesh pritet të nisë së shpejti në këtë ministri. Riformatimi do të kryhet në bazë të preferencave të titullarit dhe më të rrezikuarit nga reforma do të jenë punonjësit më me eksperiencë në këtë dikaster.
Organizimi i strukturës
Ministri i Ekonomisë centralizon pushtetin në duart e tij. Plot 52 drejtori dhe sektorë primarë janë krijuar në strukturën e re, duke sjellë në fryrje të administratës në kufijtë maksimalë. Sipas strukturës së re të publikuar nga vetë Prifti dhe të argumentuar si ndryshim për ti dhënë prioritet sektorit të energjetikës dhe atij minerar, kreu i këtij dikasteri ka krijuar gjashtë drejtori të përgjithshme. Secila prej drejtorive ka në varësi nga dy deri në katër drejtori të tjera. Kështu, pas ministrit dhe në varësi të tij janë tre zëvendësministra, kabineti dhe sekretari i përgjithshëm, përmes së cilit Prifti do të njihet me punën dhe veprimtarinë e 52 drejtorive dhe sektorëve. Drejtoria e përgjithshme e politikave të zhvillimit ekonomik do të ketë në varësi dy drejtori dhe katër sektorë, të cilët do të raportojnë të sekretari i përgjithshëm dhe ky i fundit të ministri. E njëjta skemë për kontrollin dhe raportimin është ndjekur për të gjithë drejtoritë. Drejtoria më e re në Ministrinë e Ekonomisë është ajo e politikave tregtare, e cila do të ketë në varësi tre drejtori dhe tetë sektorë. Në këtë nënndarje është përfshirë edhe një drejtori e re, ajo e politikave të integrimit tregtar, e cila do të ketë në varësi dy sektorë. Drejtoria e përgjithshme e zhvillimit të politikave të zhvillimit të burimeve natyrore ka në varësi drejtorinë e energjetikës, e cila është ndarë në dy sektorë për energjinë, në të parin është përfshirë sektori i problematikave energjetike dhe në tjetrën ai i politikave. Një tjetër drejtori është ajo e projekteve dhe bashkëpunimit ekonomik, e cila ka në varësi dy drejtori dhe pesë sektorë, të cilat sipas të njëjtës strukturë përmes drejtorit dhe sekretarit të përgjithshëm do të emërohen, kontrollohen e shkarkohen nga detyra, nga titullari i institucionit.
Menaxhimi i minierave
Pasuritë nëntokësore, dhe sektori më problematik në Shqipëri, pasuritë minerare do të varen nga drejtoria e përgjithshme e politikave të zhvillimit të burimeve natyrore, e cila do të ketë në varësi drejtorinë minerare dhe industriale, sektorin e projekteve minerare dhe industriale dhe sektorin e politikave minerare dhe industriale. Në strukturën e re nuk është përcaktuar qartë sektori i koncesioneve dhe licencave për sektorin minerar. Edhe pse përplasjet mes firmave të licencuara dhe firmave fantazmë regjistrojnë vetëm përplasje në zonat e pasura me krom, as struktura e re e hartuar nga ministri dhe e përqendruar në duart e tij, nuk ka rregulluar qartë këtë sektor.