E Diel, 1 Nëntor 2026

800 mijë familje shqiptare do të përfitojnë kartolinën e qeverisë për festat e fundvitit

Garanton kryeministri Sali BerishaKreu i qeverisë Berisha deklaroi dje se të gjithë qytetarët shqiptarë se do të marrin shpërblimet e fundvitit dhe pagesat për pagat dhe pensionet, ashtu siç e parashikon ligji, brenda muajit dhjetor Kryeministri Sali Berisha hedh poshtë të gjitha trillimet dhe deklaratat e pabaza të eksponentëve socialistë lidhur me pagat dhe shpërblimet e fund vitit për qytetarët shqiptar. Berisha u shpreh se qeveria disponon të gjithë faturën financiare për dhënien e shpërblimeve për pensionistët dhe punonjësit e administratës dhe njëherazi edhe shlyerjen e pagesave për pensionet dhe pagat brenda muajit, siç edhe e parashikon ligji. Kryeministri foli në takimin e përjavshëm me deputetët dhe për kufirin e biznesit të vogël, për të cilin tha se nuk do të ketë ndryshim të pragut, duke e ruajtur në vlerën 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Gjithashtu, për të mbrojtur biznesin e vogël, Berisha paralajmëroi luftë ndaj evazionit fiskal dhe ulje të TVSH-së për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. “Në këtë takim desha t’ju informoj se mbyllim këtë vit në kundërshtim me trillimet ordinere, në kundërshtim me disa tituj, se nuk e di kujt i intereson të mbjellë trishtim në mëngjes ndërkohë që përgënjeshtrohet në drekë, janë 800 mijë familje shqiptare që do të marrin kartolinën e mazhorancës për Vitin e Ri. çdo gjë është plotësisht e disponueshme. Për punonjësit e administratës ndarja e shpërblimit ka filluar. Për pensionistët Instituti i Sigurimeve Shoqërore disponon të gjithë faturën financiare për të disbursuar gjatë ditëve që vijnë, nëpërmjet postës dhe mënyrave të tjera, shpërblimin për 543 mijë pensionistë të vendit. Të gjitha variantet e tjera janë thjesht spekulime ordinere, sepse se çfarë do t’u thonë këta zotërinj 800 mijë familjeve shqiptare, të cilët çdo mëngjes u deklarojnë se nuk do të marrin shpërblimin, në një kohë kur ata po e marrin dhe do ta marrin, kjo është zgjedhja e tyre. Shqiptarët do t’u thonë që jeni mashtrues dhe mashtrimi dihet, të ul besimin në maksimum”, u shpreh kryeministri Berisha.Duke u ndalur te seanca e ardhshme parlamentare, Berisha theksoi miratimin e ligjit për disa ndërhyrje në Kodin e Procedurave Doganore, duke qartësuar edhe një herë se nuk do të ketë lëvizje  të kufirit të biznesit të vogël. “Kufiri ka qenë 8 milionë dhe do të mbetet 8 milionë. Kufiri nuk do të zbresë. Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo ç’ka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna është taksa e biznesit të vogël. Ne po shqyrtonim dy variantet dhe njëri ishte që t’ua kompensonim ne, por meqenëse vendosëm të mos lëvizim kufirin e biznesit të vogël, atëherë, në raport me bashkitë dhe komunat situata mbetet pa asnjë ndryshim.Së dyti, në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Por edhe këtu do të ketë një dallim, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do t’u  kërkohet diçka më e thjeshtuar. Përndryshe, evazioni nuk mund të luftohet”, deklaroi kryeministri Berisha.Kreu i qeverisë shtoi se çdo biznes, i cili gjykon se autoriteti tatimor ka arbitraritet në përcaktimin dhe në përzgjedhjen e tij për TVSH-në, është i ftuar të paraqitet, të ankimojë pranë autoritetit tatimor, pranë zëvendësministrit, pranë ministrit e deri tek Kryeministri në telefonin e tij të hapur për mesazhe, sepse në mënyrë absolute kjo që bëhet nuk ka asnjë synim tjetër përveç se mbrojtjes së biznesit të vogël dhe luftës së evazionit. “Unë kam besim të madh se me këto masa ne jo vetëm që nuk kemi cenuar, por kemi mbështetur fuqishëm bizneset nga 5 milionë e sipër do të fitojnë automatikisht të drejtën e rimbursimit të TVSH-së, të drejtë që nuk e kanë tani. Për të gjitha blerjet e tyre, për të gjitha shpenzimet e tyre, TVSh-ja tani këtyre do t’u rimbursohet. Por në këto raste duhet të jemi të sinqertë se nga njëra anë ai që është fare i vogël ndihmohet, nuk ndodh ajo e famshmja që “peshku i madh e ha të voglin”, nga ana tjetër edhe informaliteti luftohet. Zotërinj nuk po kërkojmë asgjë tjetër veçse të punosh në transparencë. Shumica e tyre mund t’u takojë të marrin me tepër se sa japin sot, por për ne ka rëndësi transparenca dhe qëndrimi transparent ndaj biznesit. Me këto modifikime, besoj se i kemi dhënë një mbështetje të re të fuqishme biznesit të vogël. Dua të theksoj këtu se lufta kundër informalitetit është leva e Arkimedit për të garantuar dhe për të zgjeruar liritë ekonomike. Pa këtë luftë, nuk ka liri të vërtetë, ka liri të cunguar ndaj dhe ne jemi të vendosur që të bëjmë çdo përpjeke se pa luftë kundër informalitetit nuk ka konkurrencë të  ndershme”, tha Berisha. Për sa i takon ligjit për tokat e banorëve të zonave turistike, i cili kompleton reformën e pronësisë, Berisha vuri në dukje se qytetarët do të marrin vlerësimin e merituar. “Komisioni, dhe unë nuk jam kundër këtij mendimin, propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300, minimumi gjer në 750 në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept.  Pak a shumë mund të shkojë pak më tepër, por unë e vlerësoj këtë ndërhyrje. Sidoqoftë ligji duhet të kalojë pasi është në kuadër të reformave të premtuara dhe duhet të vazhdojmë të kompletojmë reformën e pronësisë”, tha kryeministri, duke theksuar se degët e Agjencisë të Kthimit të Kompensimit të Pronave në qarqe, nuk do të funksionojnë më. “Me ligjin që miratoni ju, me amendimin që miratoni ju, ditën e mërkurë autorizoni agjencinë të shqyrtojë të gjitha ankesat e depozituara para datës të skadimit të paraqitjes së ankesave. Natyrisht qeveria do të bëjë disa riaxhustime, pasi janë një numër i madh ankesash, me gjithë punën e madhe që është bërë. Kanë qenë rreth 40 mijë, tani kanë ngelur rreth 8 mijë në mos gaboj. është bërë punë voluminoze, por edhe këto 8 mijë do të kërkojnë ripërshtatjen e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në përputhje me këtë vëllim të madh pune dhe qeveria sigurisht do të shqyrtojë mundësinë e një strukture të re për agjencinë, për të pasur të gjithë ekipin dhe burimet e mjaftueshme njerëzore për t’iu përgjigjur sa më shpejt shqyrtimit të 8100 dosjeve që janë pa u shqyrtuar”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›