E Diel, 1 Nëntor 2026

82-vjetori i çlirimit të Beratit, homazhe në varrezat e Dëshmorëve

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të qytetit të Beratit, u zhvilluan sot homazhe dhe nderime në Varrezat e Dëshmorëve, për të kujtuar ata që ranë në betejat për çlirimin e qytetit dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjithashtu i propozuar nga Kryeministri si ministër i Punëve të Brendshme.

Nën tingujt e Bandës Frymore të qytetit, në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, u vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Beratit.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe drejtues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të dëshmorëve, deputetë, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe qytetarë.

“13 shtatori është një ditë e shënuar për qytetin e Beratit, një ditë që na kujton sakrificën e të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e qytetit. Ne duhet të jemi mirënjohës për sakrificën e të parëve tanë, por edhe të bëjmë çmos që brezat që do të vijnë të njohin historinë e qytetit dhe sakrificën e dëshmorëve”, tha Demo.

Çlirimi i Beratit më 13 shtator 1944 shënoi një nga momentet vendimtare të luftës në këtë zonë. Në betejë u angazhuan partizanë të Brigadës së VII Sulmuese dhe batalione partizane që vepronin në qarkun e Beratit.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›