E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Respektojmë vendimin e Kushtetueses për pagat e gjyqtarëve, por askush nuk mund të kërcënojë

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot për ngërçin e pagave të magjistratëve dhe administratës gjyqësore, duke theksuar se mosdakordësia mes pushteteve duhet të trajtohet në mënyrë të civilizuar.

Rama tha se edhe nëse gjyqtarët do të kishin të drejtë në kërkesat e tyre, kjo nuk justifikon, sipas tij, mënyrën e ndjekur për të kërkuar realizimin e tyre.

Kryeministri e cilësoi situatën si një përplasje mes pushteteve, duke pyetur nëse Shqipëria po funksionon si një republikë e vetme apo si “tre shtete në konflikt”.

Sipas Ramës, hapi i parë në një situatë të tillë duhet të ishte dialogu dhe komunikimi mes institucioneve.

“Dhe le të themi, se kanë të drejtë, gjykatësit kanë të drejtë, le të themi, për mua nuk kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, kjo është rruga, ky është shembulli, këtë iu mësojmë ne të gjithë së bashku. Po këtë iu mësojnë njerëzit e drejtësisë qytetarëve shqiptarë, kështu kërkohet e drejta, me dhunë, me arbitraritet, në mënyrë të gjithanshme, pa shteruar asnjë nga format dhe pa e ezauruar asnjë nga hapat e tjerë. Po ku jemi ne këtu? Çfarë jemi ne këtu? Ne jemi përfaqësues të tre pushteteve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë apo jemi tre shtete këtu? Dhe shtete në konflikt”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se qeveria dhe mazhoranca nuk kanë ndërmend të mos respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Rama shtoi se institucionet e drejtësisë duhej të kishin komunikuar me ekzekutivin për të diskutuar mënyrën e zbatimit të vendimit, përpara se të ndërmerreshin hapa të tjerë.

“Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga luftërat etnike dhe fetare, çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt. Ulen njerëz në tavolinë, ulen njerëzit, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti në një rrugë jo të lehtë shtetbërje evropiane që jetojnë me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët, se në çdo hap japim një shembull për të tjerët ne, që kemi mundësinë të shprehemi në publik dhe ulen. Edhe thuhet, ne kemi këtë shqetësim”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Rama shtoi se respekton vendimin e Kushtetueses.

“Ka një vendim Gjykate Kushtetuese të cilin ne absolutisht flas si pushtet ekzekutiv dhe legjislativ, nuk kemi asnjë qëllim dhe as na shkon mendja që të mos e respektojmë, por ka edhe një afat të vendosur 31 korrikun që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide? Pasi të dëgjonin anën tonë, pastaj mund të vazhdonin të bënin të tyrën, si t’i thoshte mendja atyre. Por kjo kështu, me arbitraritet, ndaj një shumicë qeverisëse që ka bërë reformën në drejtësi, ndaj një shumicë qeverisëse që ka luftuar për këtë standard, për këtë standard trajtimi dhe këtë standard mirëqënieje që është rritur kaq ndjeshëm në familjet e gjithë kësaj trupe në Republikën e Shqipërisë?!”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek kërkesa ndaj Ministrisë së Financave dhe strukturave të Thesarit të Shtetit.

“Gjëja e parë që u vajti ndër mend ishte që t’i dilnin përballë dhe ta sfidonin me një formë kaq brutale vetë zot, vetë shkop. Po pse çfarë jeni? Partia e Çekiçave, ato çfarë e keni për parti? Për luftë politike, për të dalë dhe për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike të Republikës së Shqipërisë. Për të kërcënuar Ministrinë e Financave, drejtorin  e thesarit të Republikës së Shqipërisë? Pse çfarë janë ato? Rojet e magazinash pa zot? Po si është e mundur që nuk ka një moment marrje frymë dhe marrje me arsye të hapave. Ne mund të mos jemi dakord, asnjëherë, por kemi detyrimin që mosdakordësinë ta trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Boll është trajtuar dhe trajtuar mosdakordësia në mënyrë të paqytetëruar mes partive politike. Po çfarë, ku jemi? U shtua edhe një parti politike tjetër tani, që do nxjerri dhëmbët, do skërmitet nëpër mediat e Shqipërisë për të marrë lekë, rroga, për t’i shumëfishuar pagat e veta krahasimisht me të gjithë të tjerët, edhe për t’i çuar ato me diferencë nga gjithë rajoni e për t’u shkuar në nivelet e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Kështu, tak tak! Hajde se nga para Thesari i Shtetit hapeni të marrim ne tonat, pastaj punë e madhe shumë se çfarë bëhet me të tjerët. Po ku jemi këtu? Si u bë ka kjo punë?”, tha Rama.

Rama deklaroi se qeveria do ta respektojë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ndjekë atë që e konsideron rrugën e duhur për t’iu përgjigjur kërkesës.

“Kështu që besoj që ky është një rast për të nxjerrë disa mësime dhe ndërkohë siguroj edhe njëherë të gjithë ne do ta respektojmë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të bëjmë atë që është, sipas nesh rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese. Por kërcënime dhe pengmarrje të pushteteve të tjera të pavarura, siç janë pushteti ekzekutiv dhe pushteti legjislativ, askush nuk duhet të bëjë. Askush nuk duhet të bëjë”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›