Abrazhda: Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës, po ndërtojmë kapacitetet

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës, ndërsa përpara produktit përfundimtar duhet të ndërtohen kapacitetet, infrastruktura, teknologjia dhe burimet njerëzore, deklaroi zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda.
Në një reagim ndaj deklaratave të opozitës, Abrazhda theksoi se projektet industriale në fazat e para nuk mund të gjykohen vetëm nga ajo që prodhojnë në momentin aktual, por edhe nga kapacitetet që krijojnë për të ardhmen.
“Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës. Para produktit ndërtohet kapaciteti”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se synimi është sjellja e teknologjisë dhe know-how-t, zhvillimi i aftësive profesionale, modernizimi i infrastrukturës dhe integrimi i kompanive shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të industrisë së mbrojtjes.
Sipas Abrazhdës, industria moderne e mbrojtjes funksionon përmes specializimit, partneriteteve dhe integrimit të komponentëve e nënsistemeve, ndaj “prodhimi” nuk duhet të matet vetëm me numrin e pjesëve që prodhohen brenda vendit, por edhe me aftësinë për të integruar, mirëmbajtur dhe mbështetur kapacitete të avancuara.
Në këtë kuadër, ajo solli si shembull partneritetin me kompaninë italiane Fincantieri në Pashaliman, përmes Fincantieri Albania, të krijuar me 51% të aksioneve nga Fincantieri dhe 49% nga KAYO. Partneriteti synon zhvillimin e kapaciteteve të ndërtimit dhe mirëmbajtjes detare, modernizimin e Pashalimanit dhe krijimin e mundësive për përfshirjen në tregjet ndërkombëtare.
“Partneriteti ekziston për të shkurtuar atë distancë. Fincantieri sjell eksperiencën industriale, teknologjike dhe know-how. Shqipëria zhvillon njerëzit, infrastrukturën dhe kapacitetin vendas”, deklaroi Abrazhda.
Ajo theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të sjellë vlerë të qëndrueshme në Shqipëri, përmes trajnimit të njerëzve, transferimit të njohurive, modernizimit të infrastrukturës, krijimit të proceseve industriale dhe përfshirjes së kompanive shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Abrazhda nënvizoi gjithashtu se zhvillimi i kapaciteteve profesionale lokale është pjesë e këtij procesi, duke përmendur bashkëpunimin mes Fincantieri, KAYO dhe Institutit Profesional “Pavarësia” në Vlorë për trajnime, praktika dhe zhvillim kompetencash.
“Industria moderne është një zinxhir. Vlera jonë është sa aftësi ndërtojmë brenda atij zinxhiri dhe sa prej saj mbetet në Shqipëri”, u shpreh zëvendësministrja.
Sipas saj, objektivi është që në vijim Shqipëria të rrisë aftësinë për të prodhuar, integruar, mirëmbajtur dhe trajnuar brenda vendit, duke krijuar gjithnjë e më shumë vlerë industriale për ekonominë dhe sektorin e mbrojtjes.
/e.xh/j.p/