E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 Janari, ekspertizë e huaj për besueshmërinë e hetimit”

E ftuar në emisionin “Opinion” në televizionin Klan, kryeprokurorja nuk e cilësoi si të është vonuar hetimin, pasi sipas saj, “nëse bëjmë një ekspoze duke filluar nga dita kur ndodhi ngjarja, mund të themi se Prokuroria e Tiranës ka qenë në detyrë, e ndarë në disa grupe pune që ndoqën situatën”.

“Ky proces - shtoi ajo - vazhdoi me ekzaminime dhe marrjen e gjitha armëve të Gardës që iu nënshtruan akteve të ekspertimit, me shqyrtimin e të gjitha pamjeve filmike nga televizionet. U morën shumë persona në pyetje dhe në një moment të caktuar u detyruam të presim, pasi dërguam një kërkesë për ndihmë në SHBA dhe ishim në pritje të kësaj ekspertize”.

Rama bëri të ditur se u kërkua ekspertizë për një nivel më të lartë profesional, por edhe për një çështje besueshmërie për situatën që u krijua në atë kohë. “Ne e kemi të qartë se sa u mirëprit ekspertiza amerikane në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit”, tha ajo.

Duke iu referuar ekspertizës së huaj që është kërkuar si në rastin e ngjarjes së 21 janarit edhe për hetimin e vrasjes së Kosta Trebickës dhe ngjarjes së Gërdecit, kryeprokurorja tha se në çdo rast janë kërkuar ekspertë “jo sepse në çdo rast nuk kemi ekspertë të mirë, por për një hetim të besueshëm, pasi në të tri këto raste ishin të përfshirë edhe persona të lidhur me politikën dhe shtetin”.

E pyetur mbi rrjedhjen e informacionit të hetimit, Ina Rama tha se ky është një shqetësim për Prokurorinë shqiptare, por edhe për prokuroritë e huaja në përgjithësi. “Ky është shqetësim dhe institucioni më i dëmtuar në këtë rast është Prokuroria, por gjithashtu është një problem i vështirë të identifikosh personin që nxjerr informacionin”, pohoi Rama, ndërsa theksoi se puna e Prokurorisë jo detyrimisht duhet ekspozuar nëpërmjet daljeve publike në media.

Gjithashtu kreu i institucionit të akuzës mohoi të ketë pasur kontakte telefonike me kryetarin e Partise Socialiste, Edi Rama. “Unë kam komunikuar me Presidentin e Republikës, zotin Topi,  në ditën që ndodhi ngjarja dhe në ditët në vazhdim. Nuk ka qenë një komunikim aq i shpeshtë. Ka qenë një komunikim informues. Sigurisht e kam informuar për çfarë të dhënash kishim për hetimin,  për  ato të dhëna që kishim në momentet e para, për gjërat thelbësore, siç kam komunikuar me drejtorin e Policisë  së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe ministrin e Brendshëm”, u shpreh kryeprokurorja Rama.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-01-26 23:40
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›