E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 Janari”, Arvizu konfirmon ardhjen e ekspertizës së FBI-së

Ai thekson se ekspertët amerikanë kanë marrë pjesën më të rëndësishme të materialit hetimor të përgatitur nga Prokuroria shqiptare. Pyetjes së bërë se a e konfirmoni ardhjen e ekspertizës së FBI-së, Arvizu u përgjigje: “Po, ka mbërritur. Megjithatë, ka patur elementë përbërës, kërkesa të ndryshme që i janë dorëzuar prokurorëve në moment të ndryshme edhe më parë”.

“Nga ajo që unë kuptoj, është dërguar pjesa më e madhe hetimeve, pjesa më domethënëse e asaj që është kërkuar nga FBI. Mbase mund të ketë ndonjë shtojcë e informacion shtesë, por pjesa qendrore për sa i përket fakteve balistike e ligjore të kërkuar nga prokurorët është kryer. Jam takuar me asistent-drejtorin e FBI-së. Laboratori i FBI-së në Uashington merret me shumë punë dhe e vlerësoj që ata morën përsipër këtë kërkesë, duke bërë më të mirën që mundën. Vlerësoj edhe faktin se prokurorët shqiptarë, me sa unë kuptoj, janë të kënaqur me bashkëpunimin”, tha ai për Top Story.

Pyetje - Ju thatë më parë, që Prokuroria dhe Qeveria, pavarësisht kontradiktave, pranoi ekspertizën amerikane si të paanshme dhe profesionale. Në një vit, shumë gjëra kanë ndryshuar. Por, ajo që mbetet i njëjtë është qëndrimi agresiv i mazhorancës ndaj Prokurorisë… Mendoni që sot rezultatet e eksperitzës së FBI-së do të pranohen?

Ambasadori Arvizu - Shpresoj të jetë kështu. Kjo ka qenë shpresa dhe pritshmëria ime që nga fillimi. Një vit më parë, ka qenë shumë e rëndësishme për mua të merrja sigurinë nga Kryeministri dhe kabineti që ata do të bashkëpunonin me hetimin. E pranoj që retorika disa herë ishte e tepruar, por e rëndësishme për mua është që qeveria ka shprehur mbështetje për hetimin…

Këtë bisedova shkurtimisht sot me Kryeministrin dhe këtë feedback pata përsëri. FBI shqyrton provat dhe jo njerëzit. Nëse qëllimi është të shkojmë tek e vërteta, atëherë nuk është diçka partiake pasi të gjithë duhet të gjenden në të njëjtën anë dhe shpresojmë që gjykata të pranojë çdo lloj prove.

Pyetje – Më parë, përmendët edhe ekspertizën amerikane të hedhur poshtë në gjyqin Meta-Prifti. A ka një marrëveshje mes SHBA-së dhe Shqipërisë mbi administrimin e provave penale. Dmth, një provë e siguruar nga FBI, a është e vlefshme për gjykatat shqiptare?

Ambasadori Arvizu - Nuk e di përgjigjen specifike për këtë. E di që nuk kam vepruar me këtë supozim, që nëse prokurorët kanë nisur një kërkesë zyrtare, pres që përgjigja jonë do të ishte një provë e pranueshme në një gjykatë shqiptare… Çështjen Meta-Prifti e kemi ndjekur me interes të madh, për këtu kemi qenë një palë e tretë e interesuar, pasi një kompani amerikane ka vlerësuar provat, por s’ka patur një rol zyrtar të qeverisë, ndërsa në 21 janar ka një rol zyrtar nga qeveria amerikane, me përfshirjen e një institucioni siç është FBI.

Pyetje – Nëse në bazë të provave të FBI, Prokuroria do të marrë masa dhe këto masa do të kundërshtohen nga qeveria, si do të reagojë SHBA?

Ambasadori Arvizu - Unë mendoj që një pikë e rëndësishme në dhënien e përgjigjes është që ky është një hetim shqiptar dhe ne po ofrojmë asistencë teknike-ligjore. Unë kam qenë i përfshirë me leximin e raportit, por nuk jam një ekspert ligjor. Nga ajo që unë di, prokurorët shqiptarë kanë zhvilluar dosjen dhe kanë mbledhur faktet. Nga ajo që unë shoh dhe ky është një term i saktë, të gjithë këto prova shtesë, mbështetja që është marrë, është një mbështetetje për të arritur konkluzione.. Nuk mendoj që ka diçka të veçantë që ana amerikane ka prodhuar diçka që ju se keni patur, edhe pse ka disa pjesë ku ka disa prova shtesë, që janë ofruar nga pala amerikane.

Pyetje - Opozita do të përkujtojë me një homazh 21 janarin, me një marshim në bulevard në ditën e shtunë. E keni këshilluar Ramën që të mos e realizojë si një vit më parë dhe a lidhet me këtë paralajmërimi për shtetasit amerikanë që të mos afrohen pranë homazheve?

Ambasadori Arvizu - Çdo ambasadë amerikane në botë ka për detyrë të paralajmërojë shtetasit e saj edhe nëse të gjitha të dhënat janë për një protest paqësore dhe kjo është ajo që kemi bërë. Me Ramën u takova për drekë, folëm shumë, folëm dhe për përkujtimin, më shpjegoi se çfarë do të ndodhte dhe kishte logjikë me gjithçka tjetër që ishte thënë. Do të ketë një përkujtim, përkujtimorja 1-vjeçare dhe mendoj që do të jetë mënyra e duhur për të nderuar kujtimin e tyre.

Pyetje - Kryeministri, të hënën, i kujtoi Ramës që të kujtonte paralajmërimin që i bëri në 23 janar, kur i tha se rrezikonte shumë nëse tentonte t’i afrohet Kryeministrisë. Ju thatë që shumë gjëra kanë ndryshuar, por a mendoni që në këtë klimë të re ripërsëritja e këtij paralajmërimi është i nxituar?

Ambasadori Arvizu - Në përvojën time këtu, gjatë një viti, diçka pozitive rreth Berishës është që flet në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe nuk të duhet të vrasësh mendjen se çfarë ka dashur të thotë. Disa herë kam menduar që mund të ishte më i matur ose diplomatik, ai mund të kishte përcjellë të njëjtin mesazh në një mënyrë tjetër të shprehuri.

Pyetje - Rama kërkon manifestim, Berisha paralajmëron, Meta lirohet nga akuzat dhe ju jeni këtu duke folur për 21 janarin. Duket sikur asgjë s’ka ndryshuar nga një vit më parë?

Ambasadori Arvizu - Mendoj që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe sikurse folëm që në fillim, së pari, kryesorja është që katër familjeve u mungojnë të dashurit e tyre dhe këtë nuk dua ta nënvlerësoj. Kur mendoj për 2012-n, duhet të jetë një vit i rëndësishëm për këtë vend pasi është 100-vjetori i pavarësisë, por tensionet politike vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe shumë njerëz janë të shqetësuar për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Disa prej bisedave dhe veprimeve të Aleancës Kuqezi janë shtuar dhe ky është një element i ri, pra një element ndryshimi. Do të ketë gjithmonë diçka dhe kështu ndodh gjithmonë në politikë. Por, domethënëse është që prej nëntorit të 2011-s, do ta quaja si pikënisje, ka patur me të vërtetë ndryshim politik sepse dialogu ka qenë më qytetar dhe ka patur me të vërtetë hapa konkrete, substanciale, ka patur komisione për ligjet me 3/5 etj….

Pyetje - A ndjeni që 21 janari po përdoret politikisht nga palët? Ka bazë shqetësimi i mazhorancës se hetimi për të po përdoren apo mund të përdoret nga njëra pale apo tjetra palë?

Ambasadori Arvizu: Për shkak se 21 janari është kaq i madh dhe i ngarkuar do të jetë e vështirë për cilëndo palë politike që të mos përpiqet të mos përfitojë pak. Sinqerisht mendoj që ka disa persona në këtë vend që kanë axhendë politike, që janë përpjekur të shfrytëzojnë vdekjet për avantazhin politik. Nga ana tjetër, fakti është që dikush ose disa persona kanë lëshuar urdhëra gardës për të qëlluar, dhe kjo duhet hetuar. Nëse hetimi do të bëhet si duhet dhe gjithëpërfshirës kjo është gjithcka që të gjithë shqiptarët mund të si shembull nga drejtësia.

Pyetje: Trojkës thotë se është prokuroria që duhet të hetojë 21 janarin, por ekziston edhe nje komision hetimor parlamentar, afati i të cilit është shtyrë përtej korrikut, ndoshta kur zoti Topi të mos jetë më president, mund të hetohet nga ky komisioni si “horr bulevardi”.

Ambasadori Arvizu: Nuk është pozita ime që t’u them shpërbëjeni komisionin, por nuk kam ndonjë qendrim për të. Ne e kemi shpallur që autoriteti i duhur hetimor është zyra e prokurorit, jo komisioni hetimor parlamentar. /Start/

                                                                                             2012-01-20 08:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›