E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 janari”, Topi: Duhet të flasë vetëm drejtësia

Duke marrë shkasë nga hetimet për 21 janarin, presidenti Topi, nënvizoi se për këtë ngjarje duhet të flasë vetëm drejtësia dhe jo politika.

“Fatkeqësisht, kur duhet të flasë vetëm drejtësia, beteja e gjatë politike që shkaktoi 21 janarit vazhdoj të shkaktojë fajtorë e akuzues, duke anashkaluar thelbin dhe duke penguar drejtësinë në të gjitha hapat e saj. Unë kam besim se drejtësia do të dijë të kapërcejë këtë krizë”, theksoi ai.

Sipas Topit, “nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushtetit të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës. Suksesi dhe përballja me politikën do të rimëkëmbë besimin e humbur. Fryma e ligjit dhe ligjet që burojnë nga Kushtetuta për institucionet e pavarura, varen vetëm nga Kuvendi”.

Sipas kreut të shtetit, ndërgjegjja dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare kanë arritur në një stad për të kuptuar mendësinë e pushtetit politik që nënkupton tkurrjen e institucioneve. “Në një shtet demokratik, pavarësia e institucioneve përbën shpirtin e demokracisë. Unë flas dhe duhet të flas në emër të qytetarëve dhe jo në emër të partive. Presidenti përfaqëson interesat e të gjithë shtetasve. Unë mbetem zëdhënësi i atyre që janë të pa kënaqur nga kjo politikë, pavarësisht se mund të kenë votuar”, shtoi ai.

I pyetur mbi akuzat e kryeministrit për mos komunikim për ngjarjen, presidenti tha se kishte komunikuar institucionalisht. Për këtë arsye, ai kujtoi një deklaratë të 20 janarit drejtuar politikës.

Topi foli edhe për thirrjen nga komisioni hetimor parlamentar për ngjarjen, Topi deklaroi se do të respektonte Kushtetutën dhe ligjet, që sipas tij janë të qarta. “Referuar ligjshmërisë së komisioneve hetimore, është më se legjitime që kuvendi, pavarësisht si është trajtuar, ka të drejtën të ngrejë komisionet hetimor. Komunikimi i Kuvendit të Shqipërisë me institucionit të Presidentit, po t’i referohemi kërkesës së komisionit ka qenë që Presidenti të vijë të dëshmojë. Kam dalë publikisht që presidenti pranon të dëshmojë ashtu sikurse thotë Kushtetuta. Menjëherë vjen një kërkesë tjetër që Presidentin nuk e kemi kërkuar të dëshmojë por të informojë, atëherë referuar po prapë Kushtetutës, presidenti kërkon informacion nga të gjitha institucionet dhe kurrsesi nuk detyrohet të japë informacion. E gjithë korrespodenca me institucionet është zyrtare dhe nuk punohet me numra. Presidenti do të jetë gjithmonë në respekt të kuadrit kushtetues. Aty ku ka të drejtën ka edhe detyrimin”, tha kreu i shtetit. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-02-09 13:03
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›