E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ekonomia shqiptare imune përballë krizës”

Në një takim të organizuar nga Banka e Shqipërisë në Fier, u prezantua situata bankare në vend, qëndrueshmëria dhe stabiliteti ekonomik i vendit përballë krizës së rëndë ekonomike që ka mbërthyer botën, masat për forcimin e sistemit bankar dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. 

Guvernatori Fullani, theksoi se "duhet të prezantojmë qartë avantazhet tona krahasuar me tregjet ndërkombëtare dhe të vazhdojmë të punojmë me reformën strukturore, për të çliruar sa më shumë potenciale e energji zhvillimi". Sipas tij, leksioni i nxjerrë nga kriza globale është që konsumi duhet të riorientohet nga mallrat e importit drejt prodhimit vendas. "E kam adresuar edhe më parë nevojën e  shkurtimit të listës së importeve, nëpërmjet zëvendësimit me produktet vendase, si prioritet i modelit të rritjes ekonomike të vendit", u shpreh Fullani. 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, theksoi se "duhet të shikohet me përparësi organizimi i skemave financiare në mbështetje të sektorëve të prodhimit të mallrave të tregtueshme si, bujqësisë, agrobiznesit, industrisë, industrisë nxjerrëse e përpunuese, ku ekonomia jonë ofron avantazhe konkurruese në krahasim me rajonin e më gjerë". Stimulimi i prodhimit vendas, vijoi ai, rrit shkallën e punësimit dhe përmirëson bilancin e deficitit në sektorin e jashtëm të ekonomisë.

Fullani vlerësoi pozicionin gjeostrategjik të Fierit si urë lidhëse mes gjymtyrëve administrative të vendit, trashëgiminë dhe aktualitetin e tij industrial, vlerat dhe resurset natyrore, duke filluar nga nafta, bitumi, gazi, deti, monumentet historiko- arkeologjike, deri te fushat e pafund, që janë baza e zhvillimit bujqësoro-blegtoral. "Qarku i Fierit listohet i dyti në vend, pas atij të Tiranës, për sa i përket potencialit ekonomik dhe bankar. Fieri jep 6,1% të depozitave bankare në sistemin bankar të vendit, është në vend të dytë për sa i përket prodhimit bruto dhe në vend të parë për sa i përket shkallës së punësimit , 4% më shumë se mesatarja e punësimit në shkallë vendi", u shpreh Fullani. 

Guvernatori adresoi kritika për Fierin, pasi sipas tij, megjithëse ka treguesit më të mirë të prodhimit dhe zhvillimit ekonomik, i mungon ana promocionale, informacioni, statistikat për demografinë dhe treguesit e zhvillimit ekonomik. /Start/

                                                                                             2012-02-01 08:56
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›