E Shtunë, 31 Tetor 2026

“JPMorgan” deklaron humbje prej 2 miliardë dollarësh

“JPMorgan Chase & Co” (e cila vleresohet se ka 2 trilion dollarë asete) kaloi krizën financiare të vitit 2008 pa raportuar humbje, ndërsa tani regjistron humbje kolosale si pasojë e gabimeve të turpshme, veçanërisht pas kriticizmit që CEO-ja Jamie Dimon i bëri të ashtuquajturit “Rregulli Volker” sipas të cilit bankat nuk duhet të bëjnë investime spekulative nga të cilët nuk përfitojnë klientët.  Ish-kreu i Rezervës Federale, Paul Volker, argumenton se aktivitetet të tilla spekulative luajtën një rol kyç në krizën ekonomike të viteve 2007-2010.

“Është shumë e turpshme për ne”, tha Dimon duke kërkuar falje në një konferencë të mbajtur me ngut. "Reuters" thotë se Dimon e pranoi se humbjet kishin lidhje me një raport të muajit të kaluar të “Wall Street Journal” për një tregtar të quajtur “Balena e Londrës”.

Po si mund të humben 2 miliardë dollar në gjashtë javë?

Firma ndoqi një strategji të komplikuar duke vënë baste mbi përmirësimin e krediteve të kompanive të zgjedhura. Në atë kohë u mendua se tregtarët mbështeteshin nga një kompani e fuqishme me kapital të mjaftueshëm. Tregtari pas kësaj strategjie u bë i njohur si “Balena e Londrës”, i cili tashmë dihet që është punonjësi francez i “JPMorgan”, Bruno Michel Iksil. Bastet e “Balenës së Londrës” dukeshin 100 % të sigurta, por ja që nuk rezultoi ashtu dhe kompania humbi.

Përveç humbjes së 2 miliardë dollarëve në gjashtë javë, “JPMorgan” parashikohet të humbasë edhe 1 miliardë dollarë të tjera në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Janë bërë shumë gabime dhe gjykime të këqija. Gabime skandaloze. Ato gabime ishin vetë-shkatërruese dhe kjo nuk është mënyra se si ne duam të drejtojmë një biznes”, tha CEO-ja i “JPMorgan”.

“CBSNEWS” thotë se në fakt kjo është historia më e vjetër në biznes, e kapur edhe nga Bibla e Tregtarit (1923), e Edwin Lefevre. “Humbja e parave është problem im më i vogël. Një humbje kurrë nuk më shqetëson pas momentit që e pësoj. E harroj brenda natës. Por, gabimi – jo humbja –, ky është shkaktari i dëmeve si në portofol ashtu edhe në shpirt. Ata nuk munden nga tregjet. Ata mundin veten e tyre.”

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-05-11 11:18
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›