E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nderi i Kombit” për “Mandelën” e Shqipërisë

Kryetari i Shtetit, në shenjë nderimi e respekti të veçantë për veprimtarinë dhe kontributin intelektual të Pjetër Arbnorit për vendin dhe shoqërinë shqiptare, i dorëzoi vajzës së tij, Gjystina, Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe dekretin përkatës me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar".

"Në kujtesën tonë të përbashkët, me sakrificat e jashtëzakonshme dhe veprën e tij, Pjetër Arbnori mbetet një simbol qëndrese dhe humanizmi, një politikan e intelektual me horizont të gjerë dhe urtësi shembullore, një burim frymëzimi për sjellje qytetare dhe mendimin e lirë", tha Presidenti Topi.

Ai vuri në dukje se bindjet e tij politike, talenti në krijimtari dhe guximi për të kundërshtuar parimet staliniste të regjimit, i morën Pjetrit 28 vjet nga jeta e tij, duke e shndërruar kështu në “Mandelën e Shqipërisë”.

Burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Pjetër Arbnorit janë burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Shqipërisë, tha Topi. Presidenti i Republikës tha se "në kontrast me modelet politike konfliktuale dhe ideologjike, me sjelljet politike joqytetare dhe penguese për vendin, Arbnori kujtohet nga të gjithë për qetësinë, argumentin dhe integritetin e lartë. I zgjedhur deputet në pesë legjislatura, një nga përfaqësuesit më të denjë të qytetarisë shkodrane, Arbnori krijoi edhe në demokraci modelin e politikanit evropian,-mbështetës i vendosur i dialogut politik dhe i shtetit të së drejtës, aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut, politikan që vendos mbi gjithçka tjetër interesin publik e kombëtar".

 Në emër të familjes Arbnori, vajza e tij, Gjystina, duke falënderuar Presidentin për urdhrin e lartë që i akordoi babait të saj, tha se "unë dhe vëllai im, ndihemi me shumë fat që, edhe pas pesë vjetëve të ndarjes nga jeta të babait tonë, kemi të freskëta kujtimet më të bukura nga një njeri që vazhdon të gëzojë respektin e të gjithëve për kontributin konkret që dha për demokracinë në Shqipëri, për mençurinë, maturinë, idealizmin dhe dashurinë për vendin"./Start/

                                                                                             2011-10-28 15:16
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›