E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë bashkohen kundër dhunës

Duke njohur Kryetaren e Kuvendit me iniciativën e Kombeve të Bashkuara, Alcala theksoi se bëhet fjalë për ngritjen e shërbimeve të emergjencës për t’iu përgjigjur dhunës ndaj gruas dhe vajzave, përmes informacionit publik mbi të drejtat ligjore, linja telefonike falas për emergjencat; siguri dhe mbrojtje e menjëhershme përmes përgjigjes nga policia, kujdes shëndetësore etj.

Nga ana e saj, Topalli vlerësoi si një mision të rëndësishëm ndërgjegjësimin në shkallë globale të ndalimit të dhunës ndaj grave duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo projekt, program apo ide në funksion të mbrojtjes dhe mbështetjes së viktimave të dhunës ashtu si edhe të eliminimit të këtij fenomeni.

“Shpreh kënaqësinë që vizitoni Shqipërinë në kuadrin e një misioni kaq të rëndësishëm dhe njerëzor siç është lufta kundër dhunës ndaj grave. Është një problem global, që prek familjet por edhe vet shoqërinë. Ndaj dhe unë jam e hapur për ta trajtuar këtë fenomen si një problem të përbashkët dhe për të gjetur bashkë  të gjitha mënyrat për ta luftuar atë” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e OKB, Alcala e cilësoi Shqipërinë si një ndër vendet që ka bërë progres të qenësishëm në ndalimin e dhunës ndaj grave ndërsa theksoi se janë pikërisht këto vende që shprehin vullnetin për të luftuar këtë fenomen që merren si shembull edhe për shtetet e tjera, për t’i inkurajuar ato të marrin masa konkrete në ndëshkimin e dhunës ndaj gruas.

“Shqipëria, është ndër vendet që ka shënuar progres domethënës gjatë këtyre viteve jo vetëm me legjislacionin por edhe me masat konkrete të mbështetjes për të luftuar dhunën kundër gruas. Ne jemi njohur me legjislacionin tuaj të miratuar për këtë çështje, dhe vlerësojmë se këtu ka një bazë të mirë ligjore, megjithatë, ne nxisin që edhe hapa të tjerë të ndërmerren për të thyer heshtjen e grave të dhunuara, për të dëgjuar zërin e tyre dhe për t’i ofruar atyre ndihmë dhe mbrojtje” u shpreh përfaqësuesja e OKB, Alcala. /Start/

                                                                                             2011-10-28 15:36
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›