“Në tryezë për të hapur kutitë”
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Rama nënvizoi se kushti i opozitës për të hyrë në parlament është ngritja e një komisioni parlamentar me shumicë të pakontrolluar nga pushteti, për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Ai nuk përjashtoi mundësinë e rinisjes së protestave, të cilat sipas tij do të kushtëzohen nga vullneti i mazhorancës në tryezën e Presidentit.“Arsyet e protestës janë të gjitha arsyet për të cilat prej gjashtë muajsh jemi jashtë parlamentit dhe do të jemi në protestë pavarësisht nëse do të ketë një demonstratë të madhe apo jo. Ne nuk kemi shpallur datën e manifestimit, ndërkohë që përgatitet dialogu. Sali Berisha nuk mund të përdorë kohën për dialog për të përgjumur opozitën” tha kreu i selisë rozë. Në lidhje me pikat që opozita do të parashtrojë në tryezën e Presidentit, Edi Rama tha se dialogu do të shtrihet në të gjitha aspektet që përfshijnë transparencën e kutive dhe të gjitha transformimet para dhe paszgjedhore.“Pikat fillojnë nga heqjet nga puna për arsye të mosdhënies së votës apo mospjesëmarrjes në aktivitetet e mazhorancës, lirimi në shkelje të plotë të ligjit i kriminelëve nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të ushtruar presion tek zgjedhësit, abuzimet me hapësirën mediatike, abuzimi me televizionin publik, apo errësimi i vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi në prag të zgjedhjeve. Në rast se nuk hetohen kutitë, nuk ka diskutime” shtoi Rama.