Emigrantët, jo pjesë e regjistrimit
Pollo
Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë nuk do të kenë interes për procesin e regjistrimit të popullsisë që do të ndodhë në vendin tonë. Ky ishte parashikimi që bëri ditën e djeshme ministri i Shtetit, Genc Pollo, duke folur në një studio televizive në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili do të nisë në vitin 2011. “Ashtu siç mbeten 700 mijë shqiptarë dhe vetëm një pjesë e vogël prej tyre vjen për të votuar kur zgjidhet Kuvendi, po ashtu ata 700 mijë në masën 99% apo 99.5% gjithashtu do mbeten në Greqi dhe nuk do çajnë kokën të vijnë vetëm për t’i thënë anketuesit të INSTAT-it që ‘jam edhe unë’”, theksoi ministri Pollo, i cili është drejtues i komisionit për regjistrimin. Sipas tij, ky proces do të përfshijë vetëm ata shqiptarë që në momentin e tij gjenden në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Pollo la të kuptohej se ky proces nuk kishte asnjë synim për të regjistruar shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit tonë. “çfarë ka gabim nëse Repoba niset për të regjistruar 3.2 milionë shqiptarë që janë banorë në Shqipëri dhe jo 200 mijë shqiptarë që janë në Nju Jork dhe në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara? Repoba regjistron çdo shqiptar që në momentin që bëhet regjistrimi ndodhet fizikisht në Shqipëri”, theksoi ministri i Shtetit. Nga ana tjetër, Pollo nuk kurseu as sulmet ndaj një pjese të madhe të intelektualëve në vend, të cilët e kanë kundërshtuar regjistrimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë. “është një frikë e pasupozuar dhe e bazuar te paragjykimet, te supozimet e te komplekset dhe më vjen keq ta them, por dhe te komplekset e inferioritetit”, u shpreh Pollo. Sipas tij, ky proces nuk do të sjellë asnjë problem dhe asnjë deformim.
#