E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paqe, solidaritet dhe agjërim të pranuar tek Zoti”

 Në KMSH, ishte sot edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ka shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj në një mirësi për veten, familjen dhe shoqërinë shqiptare.

“Vendimi i tyre për t’ju përkushtuar dhe nderuar Zotin në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit,  është frymëzues për  të gjithë njerëzit.  Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë, se përkushtimi i njeriut ndaj Zotit. Ndaj dhe le te urojme sot të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar këtë ditë, ditët e nderimit  të sakrificës. Gjithçka ndërton njeriu nga  vitet më të hershme të fëmijërisë dhe në vazhdim të gjitha mirësitë, të gjitha ëndrrat që ai realizon kanë në themel sakrificën e tij, sakrificën e familjes së tij, sakrificën  e njerëzve të tij. Ndaj dhe nderimi për sakrificën është nderimi për arritjen, është nderimi për ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë”, tha Berisha pas takimit.

Topalli: Të mendojmë për të varfrit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi të dielën besimtarët myslimanë shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, në Kosovë e Maqedoni për festën e Fitër Bajramit. Pas një vizite që zhvilloi në mesditë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, kryetarja Topalli tha se "katër javët që kaluan ishin kohë kur secili sakrifikonte me devotshmëri e besim, në mënyrë të veçantë duke u shërbyer atyre që janë me më pak fat". "Kjo sakrificë, vijoi Topalli, në fakt është një ftesë, që çdo ditë të mendojmë për ata që kanë më pak, që janë të sëmurë, për grupet e margjinalizuara. Ky është një obligim për qytetarët shqiptarë për t'i shërbyer njëri-tjetrit kur kemi nevojë", u shpreh ajo.

PS uron besimtarët

Partia Socialiste u përfaqësua nga sekretari Organizativ, Blendi Klosi, ndërsa kryetar Rama bëri një urim të shkurtër në rrjetin social Twitter.  "I urojmë të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në  gjithë trevat e saj, gjithë kombit shqiptar, fat, mbarësi dhe begati në këtë ditë të madhe", u shpreh deputeti Klosi për mediat, pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman.

Basha: Koha kërkon solidaritet

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë. Z Basha vlerëson sakrificën e atyre që kanë agjëruar, si një gjest nga i cili të gjithë mund të mësojmë. “Koha kërkon sakrificë dhe solidaritet nga secili prej nesh, për më të vegjlit, më të moshuarit, për ata që kanë më shumë nevojë. Mesazhi i Fiter Bajramit është inkurajues dhe na mbush të gjithëve me shpresë për të nesërmen që do të jetë më e bukur dhe më e begatë për Tiranën dhe qytetarët e saj”, shkruan Basha.

AKZ: Zoti ua pranoftë agjërimin

Edhe Aleanca KuqeZi uroi besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin, duke theksuar se kjo ditë vjen pas durimit, sakrificës dhe privimit te besimtareve nga uji dhe ushqimi vetëm për Zotin duke sfiduar vapën dhe vështirësitë.

“Dhe sot janë të gëzuar se u është shtuar dashuria dhe shpresa për të qenë të lumtur dhe të gëzuar në përjetësi. Zoti pranoftë agjërimin dhe adhurimin dhe e beftë që ky Bajram të jetë kthesa vendimtare për çdo shqiptar për të rritur besimin tek Zoti dhe shpresa për një jetë të lumtur dhe të begatë”, thuhet në mesazh. 

Edhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet uroi sot besimtarët mysliman dhe të gjithë shqiptarët festën e Bajramit. “Paqja, harmonia dhe mirëkuptimi, simbole të ditëve të shenjta, qofshin udhërrëfyese të kombit shqiptar. Gëzuar!”, thuhet në mesazh.

/S.Ll/Start/

                                                                                             2012-08-19 14:58
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›