E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidenti”, PD-ja takon aleatët, PS-ja mbledh grupin

Nuk përjashtohet që në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS-së, të diskutohet për emra konkretë që mund të propozohen në përpjekje të arritjes së konsensusit me maxhorancën.

Ndërkohë, edhe maxhoranca në krahun tjetër ka rinisur punën për të zgjedhur sërish një figurë për kreun e shtetit. Kështu Partia Demokratike ka paralajmëruar për ditën e sotme një takim me aleatët e saj, LSI-në, PDIU-në dhe PR-në.

Synimi i maxhorancës është që të zgjedhë Presidentin në raundin e katërt që zhvillohet të hënën, ndërsa tryeza e sotme do të vendosë nëse ai do të zgjidhet vetëm me votat e maxhorancës apo do të kërkohet edhe konsensusi i opozitës e për rrjedhojë të fillojnë takimet dypalëshe.

Brenda radhëve të PD-së janë rikthyer edhe një herë hijet e eksponentëve të kësaj partie, siç janë kryeparlamentarja Topalli, ministri i Financave Bode apo deputetit Beja.
 
Paralel me emrat e eksponentëve të PD-së, ekziston edhe një listë për të cilën mund të dakordohet maxhoranca, ku përfshihet emri i Mimoza Halimit, ambasadore në Bruksel, ai i Ferit Hoxhës, ambasador i Shqipërisë në OKB, Dashnor Dervishit, ambasador i Shqipërisë në Greqi, Ledi Bianku, anëtar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe Ardian Fullanit, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Pas dështimit të raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit ditën e djeshme, konferenca e kryetarëve vendosi që raundi i katër të mbahet ditën e hëne në orën 10:00 të mëngjesit. Ky është raundi I tij i parafundit dhe në bazë të Kushtetutës zgjedh Presidentin me 71 vota ndryshe nga tre të mëparshmet që kërkonte edhe konsensusin e opozitës, pra 84 vota. /Start/

                                                                                             2012-06-09 08:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›