83 milionë dollarë humbje nga qeveria

Administrata shtetërore vazhdon të ketë probleme me realizimin e investimeve të huaja. Edhe pse buxheti i shtetit iu jep ministrive vlera të konsiderueshme, investimet sërish shfaqen në nivele të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për 4-mujorin e parë të këtij viti investimet e huaja nga ministritë janë realizuar në masën 9.7 për qind. Përgjatë kësaj periudhe ministritë kanë marrë 136 milionë dollarë për realizimin e investimeve të huaja, kjo nëpërmjet kontratave apo kredive të tërhequra nga qeveria. Por pavarësisht se janë dhënë fondet, mosrealizimi i investimeve të huaja shënon rreth 83 milionë dollarë. Shpenzimet më të larta në kryerjen e investimeve të huaja janë në rrugën Durrës-Kukës. Sipas Ministrisë së Financave, në muajin prill për këtë investim janë dhënë 4.913 milionë lekë, apo rreth 63 milionë dollarë. Ndër ministritë të cilat paraqesin realizimin më të ulët të investimeve të huaja është sektori i shëndetësisë dhe ai i arsimit. Në katër muajt e parë të vitit, investimet e huaja në Ministrinë e Shëndetësisë janë realizuar në masën 1.5 për qind, kurse në Ministrinë e Arsimit ato janë realizuar në masën 2 për qind. Kurse Ministria e Transporteve, e cila mban peshën më të madhe të investimeve, ato me financim të huaj janë realizuar në masën 8 për qind. Duke u nisur nga këto të dhëna, me siguri mund të thuhet se fondet e huaja apo kreditë e marra kanë shkuar vetëm në vazhdimin e punimeve të rrugës Durrës-Kukës.
Nga vjen realizimi i ulët i investimeve të huaja?
Sakaq, nuk duhet harruar fakti që, për realizimin e këtyre investimeve të huaja, qeveria ka tërhequr shuma të larta kredish. Qeveria realizimin e ulët të investimeve të huaja e justifikon gjithmonë me vështirësitë dhe legjislacionet që kanë vende të ndryshme në dhënien e fondeve. Por situata paraqitet krejt ndryshe nga faktet që sjell Kontrolli i Lartë i Shtetit. Realizimi i ulët i investimeve të huaja si dhe shkeljet në realizimin e projekteve të huaja kanë qenë gjithmonë të kritikuara edhe nga Kontrolli i lartë i Shtetit. Vetë kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, është shprehur se për zgjidhjen e kësaj situate duhet të kryhen përmirësime të menjëhershme në ligjin e investimeve të huaja. Në raportin e tij më të fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka veçuar problematikën e hasur në realizimin e projekteve dhe investimeve me financim të huaj. Në mjaft raste nga ana e ministrive, të cilat realizojnë projekte të huaja, janë konstatuar shkelje në fushën e prokurimit. Shkeljet sipas KLSH-së kanë të bëjnë me mënyrën e përzgjedhjes së konsulentëve në dokumentet standarde të tenderëve, vlerësimit të ofertave dhe skualifikimet e padrejta të firmave. Rast konkret i kësaj situate janë kreditë e marra për investime nga Banka Botërore për sektorin e shëndetësisë, për ndërtimin e spitalit të sëmundjeve të brendshme. Bëhej fjalë për një kredi në vlerën e 17 milionë dollarëve. KLSH ka renditur si arsyen kryesore për mosrealizimin e këtij investimi përdorimin pa kriter të fondeve të kredisë, tejkalimin e limiteve të tyre, si dhe uljen e vlerës së fondeve që do të përdoreshin për punimet.