E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lul Caka padi në Strasburg

I dënuari me 25 vjet heqje lirie pretendon për parregullsi në procesin kundër tij për vrasjen e Pëllumb Jeminit

TIRANË - Të dënuarit VIP vazhdojnë të tregojnë që kanë besim tek drejtësia ndërkombëtare, pas humbjes së shpresave e besimit karshi drejtësisë së vendit tonë. Pas dërgimit të dosjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të Arben Grorit, një tjetër i dënuar VIP ka dërguar dosjen e tij penale drejt Gjykatës Ndërkombëtare. Lulëzim Caka, i cilësuar si i “tmerrshmi i Beratit i ’97-ës”, i dënuar me 25 vjet heqje lirie, paditi Shqipërinë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Lajmin e ka bërë të ditur për “Korrierin” vetë Lul Caka, pak ditë më parë nga burgu i sigurisë së lartë të Peqinit, ku ai është dërguar për të vuajtur dënimin. Sipas vetë Cakës, procesi kundër tij ka pasur shumë shkelje procedurale dhe se tani ia ka lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur se çfarë do të bëhet me dosjen e tij. Caka pretendon se asnjëri nga nivelet e gjyqësorit në vend nuk kanë qenë “të ndershëm” me dosjen e tij dhe ai ndjehet i paragjykuar nga drejtësia, e jo i gjykuar si një qytetar normal. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Korrieri” pak ditë më parë, Lul Caka këmbënguli se dosja e tij ka qenë e paragjykuar dhe se në dosjen kundër tij ka një dëshmi të dhënë nga motra e Pëllumb Jeminit, për vrasjen e të cilit akuzohet Lul Caka, se asaj i ka thënë një burrë, të cilit i kishte thënë dikush tjetër që s’jeton më, se Lulëzim Caka i kishte vrarë vëllanë. Për të gjithë mënyrën sesi është proceduar kundër tij, Caka ka bërë nëpërmjet avokatëve të tij një padi kundër shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut. “Pres që shumë shpejt të marr përgjigje nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut dhe do Zoti me një gjykim të drejtë del në shesh e vërteta dhe më heqin akuzën e padrejtë që është ngritur kundër meje”, - thotë Lul Caka, i cilësuar si një ndër kapobandat e Beratit gjatë vitit të mbrapshtë 1997.        

Dosja “Grori”

Rasti më i fundit që një i dënuar shqiptar iu drejtua Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg është Arben Grori. Dosja penale e tij ndodhet ende në këtë gjykatë. Përveç dënimit me 15 vjet burg për “trafik ndërkombëtar të narkotikëve”, në ngarkim të tij ka edhe një vendim për burgim të përjetshëm nga Gjykata e Pestë Penale në Milano të Italisë, e cila e ka shpallur fajtor për vrasjen e Naim Zyberit, ish-të fortit të Tiranës para vitit 1997, vendim i cili është njohur zyrtarisht edhe nga drejtësia shqiptare. 37-vjeçari Grori ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, dhe pasi nuk arriti të bindte gjykatën për pafajësi, vendosi që nëpërmjet avokatit të tij të çojë dosjen në Strasburg.

Dosja “Mulosmani”

Ndër dosjet më të bujshme penale që janë çuar në Strasburg është edhe dosja e tre të gjykuarve për vrasjen e Azem Hajdarit. Tre të pandehurit e këtij procesi, Izet dhe Isamedin Haxhia, si dhe Jaho Mulosmani, depozituan dy vjet afro tre vjet më parë ankesat e tyre në Gjykatën e Strasburgut. Ankesa e tyre u përqendrua në shkeljet e rënda që janë kryer gjatë procesit gjyqësor në të cilin ata u dënuan, sipas pretendimeve të tyre. Nga gjykata e Strasburgut erdhi një listë me pyetje dhe me sqarime, që kërkoheshin për të zbardhur ngjarjen dhe për t’ia bashkangjitur dosjes. 

Dosja “Balliu”

Një tjetër dosje e dërguar në Strasburg ka qenë edhe dosja “Balliu”. I njohur si anëtar i bandës së Tan Kateshit, i dënuar me burgim të përjetshëm, Taulant Balliu e ka çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Ndërkombëtarët u dhanë të drejtë pretendimeve të Balliut që u dënua pa praninë e një avokati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›