89 vjet nga njohja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Sot bëhen 89 vjet nga një prej ngjarjeve më të shënuara për komunitetin ortodoks të Shqipërisë. Duke dhënë Tomosin e Autoqefalisë, Patriarkana Ekumenike të Stambollit, njohu ngritjen kanonike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ngjarje që e futi atë si të barabartë në familjen e Kishave Ortodokse.
Më 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës nënshkruan Tomosin Patriarkal të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe mbretit Zog dhe kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937 kryepeshkopi Kristofor, me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës Veniaminit. Sinodi i parë kanonik i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori – kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe episkop i Beratit, Evllogj Kurilla episkop i Korçës, Pandejleimon Kotoko episkop i Gjirokastrës.
Kryepeshkopi Anastas, në librin “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, ndër të tjera shkruan:
“Periudha e pestë shtrihet nga themelimi i shtetit shqiptar (1912) deri në shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse gjatë persekutimit të pareshtur komunist (1967-1990) dhe ndahet në tri faza:
a) Kërkimi i pavarësisë së plotë kishtare. Me fitimin e pavarësisë politike, autoritetet shqiptare shtruan çështjen e pavarësisë së të gjitha komuniteteve fetare të vendit nga qendrat, që ndodheshin në shtete të tjera. Në shtator të vitit 1922, Kongresi kishtar orthodhoks i mbajtur në Berat, i mbështetur nga qeveria e atëhershme shqiptare, shpalli Kishën e Shqipërisë Autoqefale […]”.
Patriarkana Ekumenike nuk i pranoi këto veprime antikanonike, duke shpallur në të njëjtën kohë gatishmërinë e saj për t’i dhënë kësaj Kishe vetadministrimin, si dhe përdorimin paralel të gjuhës shqipe në adhurim, në predikim dhe në arsim.
Si përfundim, gjatë periudhës së Patriarkut Veniamini I, Patriarkana dha Tomosin Patriarkal dhe Sinodik “Mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse në Shqipëri” (17.4.1937). Rol qendror në zhvillimet e atëhershme kishtare patën episkopi Theofan (Fan) Noli, i cili ishte protagonist në kërkimin e statusit të autoqefalisë dhe që për gjashtë muaj kreu detyrën e Kryeministrit, si dhe kryepiskopi i shpallur në mënyrë jo kanonike, nga viti 1929 deri më 1937, Visarion Xhuvani.