E Shtunë, 31 Tetor 2026

97 vjet FA, Topi: Siguroni mbrojtjen e Atdheut



Forcat e Armatosura Shqiptare festuan dje 97-vjetorin e krijimit të tyre. Ceremonia për nder të kësaj ngjarjeje u organizua paraditen e djeshme në Akademinë e Mbrojtjes dhe ishte i pranishëm dhe Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Presidenti Bamir Topi gjatë fjalës së tij u shpreh se anëtarësimi i vendit në NATO hap të tjera sfida të reja për ushtrinë shqiptare. “Sot është dita kur të gjithë ne kujtojmë historinë e lindjes, formimit dhe konsolidimit të Forcave tona të Armatosura, që, ashtu si historia e shtetit shqiptar, kanë rrugëtuar mes vështirësish, sakrificash dhe sfidash, të cilat duhet të na ndihmojnë të shikojmë më të sigurt të ardhmen e në të njëjtën kohë të na qartësojnë qëllimin për të cilin ato janë formuar dhe të cilit i shërbejnë me besnikëri”, - deklaroi z. Topi. Kreu i shtetit shtoi më tej se sot kujtohen e nderohen me shumë respekt të rënët dhe dëshmorët e atdheut. “Ata mbeten patriotë, heronj dhe simbol i së vërtetës, për të cilën dhanë jetën dhe u ndanë nga familjet dhe të dashurit e tyre”. Ushtria shqiptare, -vlerësoi Presidenti, - sot qëndrojnë në krah të ushtarakëve të vendeve më të mëdha në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Çad e Bosnjë-Hercegovinë dhe janë të vendosura të përmbushin me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi qëllimin e përbashkët e të përballen me trimëri dhe dinjitet me sfidat. Duke i siguruar mbështetjen e tij si President i Republikës dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare edhe në përmbushjen me sukses të detyrave, Topi tha: "Sot është dita kur duhet të mendojmë për nesër. Sot është dita jo vetëm për të ndërtuar të ardhmen, por edhe për ta mbrojtur dhe siguruar atë. Kjo është një detyrë jo e lehtë, por jo e parealizueshme. Suksesi varet nga vullneti, trimëria, përgjegjshmëria, pasioni, besnikëria, patriotizmi dhe profesionalizmi që ju do të tregoni”. Kreu i shtetit i shprehu mirënjohjen të gjithë vendeve aleate dhe mike, të cilat u përkushtuan së bashku me ne për të realizuar me sukses reformimin e Forcave tona të Armatosura, dhe ndihmuan që edhe Shqipëria të anëtarësohet në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›